Tregjet e largëta në fokus: Shqipëria synon turistët dhe investimet japoneze

Tregjet e largëta janë ndër objektivat strategjikë të promovimit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Pikërisht për këtë foli sot Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Çela, në Forumin e II-të të Biznesit Shqipëri–Japoni.

Forumi, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni (AJCCI), mblodhi investitorë japonezë të interesuar për mundësi investimi në Shqipëri, duke krijuar një platformë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik dhe turistik mes dy vendeve.

Në fjalën e saj, znj. Çela paraqiti një panoramë të zhvillimeve të fundit në sektorin e turizmit, si dhe mënyrat se si Agjencia Kombëtare e Turizmit po punon për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar si një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në kuadër të forumit, znj. Çela zhvilloi edhe një takim me Ambasadoren e Japonisë në Tiranë, znj. Kikuko Kato. Gjatë këtij takimi, ajo e cilësoi forumin si një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Japonisë.

Gjithashtu, palët diskutuan mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit me agjencitë turistike japoneze, si dhe mbi promovimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për turistët dhe investitorët japonezë, duke synuar zgjerimin e pranisë së vendit në tregjet aziatike.

Facebook
LinkedIn
Email
X