Veshjet tradicionale të zonës së Pogradecit dallojnë në shumëllojshmërinë e tyre si përsa i përket krahinës, fesë, moshës, nivelit ekonomik, ashtu edhe sa i përket elementeve të ndryshme që e përbëjnë atë, ngjyrave, dekoreve, qëndisjeve, stolive etj. Megjithatë elementet e përbashkët mbeten të dukshëm në të gjitha llojet e veshjeve. Nga këto elemente përmendim: këmishat, mëngoret, xhoket, fanellat, çorapet, xibunët, shamitë, përparëset (neçat), jelekët, brezi i leshit dhe opingat. Vlen të përmenden edhe stolitë që i shoqërojnë këto veshje si florinjtë, zylyfkat, lulet e fesit, qosteku, paftat, varëset, karficat e flokëve, vëthët etj.
Veshja e burrave në zonën e Rodokalit karakterizohej nga këto elemente përbërës: fanella, këmisha, jeleku, anteria apo capkenia, flokja, çorapet, brezi, qeleshja, guna dhe opingat.
Përsa i përket veshjes së grave pjesët kryesore të saj janë: këmisha, fanella, jeleku, xhoka, përparësja, brezi i leshit, çorapet, opingat, shamija, fesi (vendosej nën shami dhe lidhej me rrip), tepa (pjesa e sipërme prej argjendi në formë cilindrike rreth 5cm rrethuar me temina) dhe xhybja e kuqe. Në veshjen e grave të Rodokalit përdoreshin dhe elemente zbukuruese si: zylyfkat, florinjtë, lulet e fesit, qosteku dhe paftat.


