Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar, arti i të kënduarit, të luajturit dhe i ndërtimit të lahutës, është përfshirë zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s. Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon rëndësinë e jashtëzakonshme që lahuta dhe tradita e saj mbart për kulturën shqiptare.
Arti i lahutës përfaqëson një element thelbësor të identitetit kulturor në hapësirën shqiptare rurale, i kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe më gjerë, nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova dhe Drenica, deri në Plavë e Guci. Përmes Eposit të Kreshnikëve dhe baladave të traditës shqiptare veriore, lahutari ka përcjellë brez pas brezi vlerat e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.