Shqipëria “Vendi i Nderit” në ITB Berlin 2025

Shqipëria ishte vend i nderit në ITB Berlin 2025. Agjencia Kombëtare e Turizmit mori pjesë si shtet partner në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, më i madhi i Europës dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, i mbajtur në Berlin të Gjermanië më 4-6 Mars 2025. Me sloganin “Albania all Senses”, Shqipëria u prezantua me një stendë dinjitoze, e konceptuar me një dizajn dhe arredim modern.

 

Një ditë përpara nisjes zyrtare të ITB Berlin 2025 u zhvillua Ceremonia e Hapjes së Panairit ITB Berlin 2025 me pjesëmarrjen dhe fjalimin përshëndetës të Kryeministrit të vendit, z. Edi Rama.

Shfaqja e ceremonisë së hapjes kishte ngjyra shqiptare, përmes këngëve e valleve tradicionale shqiptare dhe performancën nga grupet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Mikpritja shqiptare, bukuritë natyrore, trashëgimia e pasur kulturore sollën Shqipërinë në të gjithë shijet e saj pëgjatë ditëve të ITB Berlin.

Në stendën e Shqipërisë u promovua imazhi i Shqipërisë turistike përmes takimeve të nivelit të lartë, prezantimeve mbi Shqipërinë turistike, forumeve të ndryshme si dhe nga tour operatorët pjesëmarrës.

“Ky është një moment historik për turizmin shqiptar” u shpreh Znj. Zana Çela, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

“Në stendën e Shqipërisë ndodhen mbi 50 agjensi, tur operatorë, hoteli dhe kompani investitorësh të cilët janë përfaqësues të vendit të nderit në ITB Berlin, mes 200 shtetesh pjesëmarrëse”, shtoi ajo.

Dita e dytë e panairit ndërkombëtar u hap me një ceremoni zyrtare prerjeje shiriti në stendën shqiptare, e ndjekur nga figura të larta shtetërore dhe ndërkombëtare. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Kryetari i Bashkisë së Berlinit, CEO i Messe Berlin dhe Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO. Ceremonia u shoqërua nga një performancë artistike emocionuese me këngën “O Shqipëri e bukur”, si një homazh për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Pas ceremonisë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me operatorët turistikë shqiptarë të pranishëm në panair, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit publik-privat në promovimin e destinacionit Shqipëri.

Pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin është një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik, por edhe vendi i duhur për të zhvilluar takime dhe krijimin e kontakteve të reja.

Gjatë ditëve të Panairit të ITB Berlin 2025, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Znj. Zana Çela nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Drejtoreshën Ekzekutive të Bordit të Turizmit të Austrisë Znj. Astrid Steharnig-Staudinger, me qëllim për të forcuar bashkëpunimin në promovimin e turizmit.

Ky Memorandum Mirëkuptimi mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Bordit të Turizmit të Austrisë është një mundësi e madhe për të zhvilluar më tej turizmin në Shqipëri dhe për të sjellë më shumë vizitorë austriakë.

“Austria konsiderohet si pioniere në turizmin e qëndrueshëm, ndaj dhe bashkëpunimi ofron mundësi të vlefshme për të zhvilluar më tej Shqipërinë si një destinacion tërheqës dhe për të rritur përvojën e udhëtimit për vizitorët austriakë, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së.
Në takim, Znj. Astrid Steharnig-Staudinger tha: “Austria ka një përvojë prej dekadash në turizëm, veçanërisht në ndërkombëtarizimin dhe rrjetëzimin e tregut global. Ne duam ta përdorim këtë ekspertizë për të mbështetur Shqipërinë në zhvillimin e saj dinamik si një destinacion turistik”.
Gjatë vitit 2024, Shqipëria u vizitua nga mbi 71 mijë vizitorë austrikë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela takoi po ashtu CEO-n e Bordit të Turizmit të Azerbajxhanit Z. Florian Sengstschmid, në prag të finalizimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Agjencive Kombëtare të Turizmit të dy vendeve.

Promovimi i turizmit, shkëmbimi i përvojave dhe zgjerimi i partneritetit mes Agjencive të të dy shteteve ishte në qendër të bisedës.
Drejtori Ekzekutiv i Bordit të Turizmit të Azerbajxhanit u shpreh i impresionuar nga Ceremonia e Hapjes Albania All Senses, stenda e Shqipërisë në ITB Berlin dhe nga sezoni i mrekullueshëm turistik 2024 i vendit tonë.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKT bëri një panoramë mbi Shqipërinë turistike dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit. Gjatë bisedës u diskutua edhe mbi vendosjen e kontakteve mes turoperatoreve dhe biznese me qëllim promovimin e turizmit.
Në vitin 2024, Shqipëria u vizitua nga 4800 turistë nga Azerbajxhani, me një rritje prej 50.8% më shumë se viti 2023.

Po ashtu, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Zana Çela takoi Drejtoreshën e Agjencisë Italiane të Turizmit Znj. Alessandra Priante, me të cilën dakordësuan mbi pikat kyçe të Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy Agjencive. Memorandumi i Mirëkuptimit mes dy Agjencive pritet të ndihmojë në promovimin e ndërsjellë të destinacioneve turistike, duke sjellë më shumë mundësi për tërheqjen e turistëve dhe zhvillimin e sektorit.

Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi në ITB Berlin, Kalendarin Digjital të Eventeve turistike dhe kulturore të Shqipërisë, TEA. Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e këtij aplikacioni për të gjithë turistët që vizitojnë Shqiperinë sepse nxjerr në pah jo vetëm bukuritë natyrore, kulturore dhe shërbimet esenciale që ajo ofron por dhe rëndësinë dhe kontributin që ky aplikacion sjell për një turizmin e qëndrueshëm dhe jetëgjatë.

Gjithashtu në ITB Berlin 2025 u prezantua edhe Konkursi Ndërkombëtar i Fotografive dhe Video Reels “Wanderlust in Albania”, Edicioni i dytë.

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2025, Shqipëria organizoi aktivitete të shumta. Mes tyre, u organizua tryeza globale “Ndryshimet e ardhshme, sfidat e ardhshme”, ku mori pjesë Ministrja Kumbaro Furxhi, duke diskutuar për sfidat dhe mundësitë e turizmit në një botë në ndryshim të vazhdueshëm.

 

Në kuadër të promovimit të natyrës dhe kulturës shqiptare, u mbajt performanca live “Përshpëritjet e Vjosës – Melodia e natyrës në Shqipëri”, pjesë e natës kulturore shqiptare, ku tingujt tradicionalë sollën atmosferën e lumenjve dhe maleve shqiptare përmes muzikës.

Aktiviteteve në stendën shqiptare vazhduan me “Një Shije e Shqipërisë – Vera & Tradita”, e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit, që solli për vizitorët produkte autentike shqiptare dhe verëra artizanale.

Po ashtu u zhvillua edhe sesioni “Eksplorimi i Shqipërisë përmes Turizmit Aktiv”, me pjesëmarrjen e zv. Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, znj. Ilva Gjuzi, e cila prezantoi potencialet e jashtëzakonshme të vendit për turizëm natyror dhe të aventurës.

Stenda e Shqipërisë mori vëmendjen e vizitorëve të shumtë dhe të mediave gjermane e ndërkombëtare që ndoqën Panairin.

 

 

Shpërndaje në: