Shqipëria në ITB Berlin 2026, me një imazh të konsoliduar ndërkombëtar

Shqipëria u prezantua me një prani të konsoliduar në ITB Berlin 2026, i cili këtë vit shënoi 60-vjetorin e themelimit, duke mirëpritur qindra vizitorë dhe profesionistë të industrisë nga e gjithë bota. Me një qasje të qartë strategjike dhe një narrativë të unifikuar destinacioni, vendi u pozicionua si një nga tregjet më dinamike në rritje në Europë.

Nën konceptin “Albania All Senses”, Shqipëria prezantoi një ofertë të strukturuar që reflekton trendet globale të turizmit, si qëndrueshmëria, përvojat autentike, produktet premium dhe diversifikimi sezonal. Kjo qasje synoi forcimin e partneriteteve B2B, zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rritjen e prezencës në tregjet prioritare.

Në këtë platformë ndërkombëtare, me moton “Shqipëria, një përvojë autentike, 365 ditë” shpalosëm potencialin turistik përmes një kombinimi të trashëgimisë kulturore, natyrës së paprekur dhe përvojave autentike lokale. Përmes takimeve profesionale, prezantimeve të dedikuara dhe promovimit të produkteve të diversifikuara turistike, u synua thellimi i bashkëpunimit me operatorë ndërkombëtarë, tërheqja e investimeve të reja dhe forcimi i imazhit të vendit si një destinacion konkurrues dhe i qëndrueshëm në hartën globale të turizmit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Çela, së bashku me stafin, zhvilloi mbi 45 takime me partnerë ndërkombëtarë, kompani ajrore, platforma turistike, operatorë dhe përfaqësues të mediave të huaja, duke promovuar Shqipërinë si një destinacion autentik dhe të qëndrueshëm.

Një moment i rëndësishëm ishte edhe vizita e një delegacioni nga Bundestagu, përfaqësues të Komisionit për Turizmin, të cilët u pritën nga znj. Çela dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, znj. Adia Sakiqi. Delegacioni prej 11 deputetësh, i kryesuar nga znj. Anja Karliczek, zhvilloi takime në një atmosferë bashkëpunuese, ku në prani edhe të përfaqësuesve të GIZ Albania u diskutua për turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e destinacioneve të trashëgimisë kulturore.

Stenda “Albania All Senses” u kthye në një hapësirë ku tradita shqiptare u përjetua në mënyrë të drejtpërdrejtë: nga dollitë me raki dhe shijet tradicionale, deri te vallet karakteristike që përfshinë vizitorët në një eksperiencë të gjallë kulturore.

Delegacioni gjerman shprehu interes për të vizituar Shqipërinë brenda vitit, duke sinjalizuar një hap konkret drejt thellimit të bashkëpunimit dypalësh, ndërsa pjesëmarrja në këtë edicion jubilar të ITB Berlin u vlerësua si një sukses për vendin, duke hapur rrugë për partneritete të reja dhe zgjerim në tregjet ndërkombëtare.

Këtë e konfirmuan edhe 30 turoperatorë, përfaqësues të turizmit mjekësor dhe industrisë hoteliere, të cilët ishin pjesë e stendës shqiptare dhe evidentuan rritjen e interesit për Shqipërinë si një destinacion gjithëvjetor.

Një element kyç i prezantimit ishte edhe modeli i turizmit me katër stinë, përmes të cilit Shqipëria u promovua si një destinacion i balancuar dhe në rritje gjatë gjithë vitit, 12 muaj. Destinacione kryesore si Tirana, Durrësi, Korça, Vlora, Saranda dhe Pogradeci prezantuan ofertën e tyre turistike të larmishme.

Ndërkohë, kryetarët e bashkive të Korça, Vlora dhe Saranda – z. Sotiraq Filo, znj. Bruna Mersini dhe z. Olti Çaçi – prezantuan vizionin e tyre strategjik për zhvillimin e turizmit, me fokus në zgjatjen e sezonit turistik dhe në pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues në rajonin e Mesdheut.

Përveç natyrës, historisë dhe trashëgimisë kulturore, vendi prezantoi edhe kuzhinën tradicionale si një element të rëndësishëm të ofertës së tij turistike, duke i dhënë vizitorëve mundësinë të njihen me destinacione unike, të përjetojnë eksperienca autentike dhe të shijojnë pasurinë kulinare shqiptare.

Facebook
LinkedIn
Email
X