Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e promovimit turistik, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela, zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, Z. Tayyar Kağan Atay.
Gjatë takimit të mbajtur pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë u diskutua mbi transformimin e shpejtë të Shqipërisë në rrugën integruese dhe ecurinë shumë pozitive të sektorit të turizmit.
Znj. Çela prezantoi vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të Qeverisë Shqiptare, që shtrihet përtej rritjes së thjeshtë ekonomike, konkretisht në zhvillimin strategjik të turizmit të nivelit të lartë. Duke patur paraqysh edhe shifrat në rritje të turistëve, ku numri vizitorëve nga Turqia i kaloi 300 mijë vetëm në 2024, Ambasadori Atay e përgëzoi Shqipërinë për këtë suskses të madh. “Jemi krenarë për suksesin tuaj. Për një vend me 2.8 milion banorë, tërheqja e një numri 4 herë më të madh sesa numri i popullsisë është një sukses i madh”, theksoi Ambasadori.
Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së shprehu interesin për konsolidimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencisë Turke të Promovimit dhe Zhvillimit të Turizmit, ndërsa Ambasadori konfirmoi gatishmërinë për të mbështetur këtë proces në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve.