Shkodra, model i promovimit turistik kulturor

“Përtej analizës së Kalendarit të Eventeve, shpreh mirënjohjen ndaj Bashkisë së Shkodrës, e cila, përveç Tiranës, renditet si një nga bashkitë kryesore që ka zhvilluar panoramën turistike të Shqipërisë gjatë këtij viti, me 259 net eventesh. Me këto rezultate, Shkodra kryeson bashkitë e vendit dhe pozicionohet si një model i promovimit turistik kulturor.

Shkodra është një nga historitë më të bukura të suksesit në promovimin e aktiviteteve kulturore, artistike dhe turistike në Shqipëri, një shembull i qartë i asaj që arrihet kur vizioni, tradita dhe inovacioni bashkohen në funksion të turizmit.”

Kështu theksoi Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit znj. Zana Cela në takimin me Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, z. Benet Beci. Znj.Çela vlerësoi bashkëpunimin e çmuar në pasurimin e TEA – platformës kombëtare digjitale të eventeve të Shqipërisë turistike, evente që tashmë janë të disponueshme edhe në aplikacionin TEA.

Në gamën e gjerë të aktiviteteve të këtij viti spikasin veçanërisht ato të karakterit multiart, si kategoria ArtFest, që pasqyrojnë energjinë krijuese dhe shpirtin artistik karakteristik të qytetit të Shkodrës.

Gjatë bisedës, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së sugjeroi promovimin e mëtejshëm të vlerave të artizanatit dhe zejeve tradicionale përmes eventeve që mund të kthehen në festivale multiart, me synim tërheqjen e turistëve, si dhe organizimin e eventeve kulturore kushtuar rinisë.

Kryebashkiaku Beci shprehu angazhimin e tij për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve, duke nisur me përfshirjen e KVR-së – Këshillit Rinor, si një hallkë kyçe për krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm interesi dhe përkushtimi të brezit të ri ndaj aktiviteteve qytetare. Z. Beci prezantoi edhe projektet infrastrukturore përgjatë liqenit dhe lumit Buna, që pritet të rrisin potencialin turistik dhe hapësirat rekreative të qytetit.

Facebook
LinkedIn
Email
X