Home » Rreth Nesh » Misioni & Vizioni
Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) është person juridik, publik, buxhetor, funksionon si institucion në varësi të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ka si qëllim promovimin e turizmit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Si institucion, AKT u themelua për herë të parë në vitin 2005 me emërtimin “Enti i Turizmit”, dhe më vonë, në bazë të Ligjit nr. 9734, datë 14/05/2007, mori emërtimin “Agjencia Kombëtare e Turizmit”.
Vizioni i Agjencisë Kombëtare të Turizmit është të bëjë Shqipërinë një destinacion turistik gjithëvjetor, të qëndrueshëm dhe konkurrues ndërkombëtarisht. Ky qëllim realizohet përmes promovimit të produktit dhe destinacioneve turistike shqiptare, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit dhe vizionin e qeverisë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. AKT synon të nxisë përmes promovimit, investimet, të zhvillojë turizmin kulturor, natyror dhe të aventurës, dhe të krijojë eksperienca të veçanta për vizitorët, duke kontribuar në zhvillimin e komuniteteve lokale në mbarë Shqipërinë.
Agjencia ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me Kushtetutën, ligjin nr. 93/2015 “Për turizmin”, i ndryshuar, VKM nr. 298, datë 20.04.2016 “Për organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë Kombëtare te Turizmit” i ndryshuar, si dhe akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi.
AKT-ja ka selinë në Tiranë dhe vulën e vet rrethore, ku përmendet emërtesa ligjore e institucionit: “Republika e Shqipërisë – Ministria e Turzimit Kulturës dhe Sportit”, “Agjencia Kombëtare e Turizmit”.
Funksioni kryesor i Agjencisë është promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik, brenda dhe jashtë vendit. Për këtë, AKT zbaton politika moderne të marketingut digjital në turizëm, duke krijuar një imazh të qëndrueshëm të vendit në nivel ndërkombëtar.
Në kuadër të këtij misioni, AKT organizon dhe menaxhon pjesëmarrjen e Shqipërisë në panaire ndërkombëtare turistike, promovimin digjital, botimin e materialeve promovuese, udhëtime për tur-operatorë dhe media të ndryshme, si dhe aktivitete të tjera me natyrë promovuese.
Agjencia ofron gjithashtu informacion për vizitorët, udhëtarët dhe turistët mbi shërbimet, produktet dhe destinacionet turistike, si dhe veprimtari e të dhëna të tjera të dobishme. AKT bashkëpunon me zyrat rajonale të turizmit, pushtetin vendor dhe organizma të tjerë që veprojnë në fushën e turizmit për të promovuar produktin dhe destinacionet turistike brenda dhe jashtë vendit.
Funksione të tjera përfshijnë: promovimin e investimeve në zonat prioritare për zhvillimin e turizmit, nxitjen e projekteve turistike në bashkëpunim me institucionet publike, hartimin dhe realizimin e materialeve promocionale në përputhje me tendencat e tregut, zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit dhe Strategjisë Kombëtare të Marketingut për sektorin e turizmit, etj.
AKT mbledh dhe përpunon të ardhurat nga marrëveshjet e qirasë për sipërfaqet e përdorura në zhvillimin e turizmit, kontrollon zbatimin e kritereve të marrëveshjeve ekzistuese dhe menaxhon marrëveshjet e zhvillimit me subjektet përkatëse. Gjithashtu AKT krijon të ardhura dytësore nga pagesat e subjekteve të cilëve u ofrohet shërbimi i promovimit të aktiviteteve të tyre në hapësirat e menaxhuara prej saj.
Agjencia:
Ju faleminderit!