Revista suedeze Vagabond: Shqipëria në vend të katërt në listën e udhëtimeve më të mira

Revista suedeze kushtuar udhëtimit “Vagabond”, vendos Shqipërinë në vend të katërt në listën e udhëtimeve më të mira për vitin 2025.

“Vagabond” e përshkruan Shqipërinë si një parajsë e përballueshme me ullishte të harlisur dhe dete të kristalta.

“Shqipëria në detin Adriatik është një parajsë e përballueshme ku mund të largoheni nga grupet e dendura turistike dhe të gjeni një plazh pothuajse të shkretë ose një kamp pa njerëz në male. Në Shqipëri, sharmi i vjetër aristokratik dhe jeta moderne e qytetit janë të përziera me natyrën e paprekur dhe kolosët e betonit të epokës komuniste.

Shëtitoret e plazhit janë të veshura me palma madhështore me një atmosferë kaliforniane përpara shtëpive shumëngjyrëshe. Brendësia e Shqipërisë përbëhet nga male masive dhe gryka të thella të mbushura me fshatra të vegjël ku jeta vazhdon si zakonisht.

Kur flitet për ushqimin, Shqipëria ofron një ndërthurje të shijshme të Italisë dhe Greqisë, me fokus perimet e pjekura në skarë, peshkun dhe ushqimet e detit”.

Gjithashtu në shkrimin e saj, Revista suedeze e udhëtimit “Vagabond” propozon si destinacione të mundshme tre pika kryesore të Shqipërisë:

  • Qëndroni në një kamp malor. Lart në mal ka bujtina dhe kampingje ku mund të qëndroni me pamje nga luginat ku bredhin lirshëm kuajt gjysmë të egër dhe tufat e dhive, si Nivica në rrethin e Gjirokastrës.
  • Shtëpia e Gjetheve është një monument i kohës më të errët të vendit kur sundonte komunizmi dhe fqinjët spiunonin njëri-tjetrin.
  • Mësoni gjithçka rreth kultivimit të midhjeve në Shtëpinë e Midhjeve në Ksamil.

Artikullin mund ta lexoni të plotë në linkun: https://www.vagabond.se/restips/arets-basta-resor-2025

Shpërndaje në: