Skrapari ndodhet në pjesën juglindore të Shqipërisë dhe është pjesë e Qarkut të Beratit. Qyteti i Çorovodës, që shërben si qendër administrative e bashkisë, ndodhet buzë lumit Osum dhe është i rrethuar nga një reliev malor, që përfshin kreshtat e Tomorrit dhe kanionet e thella që janë ndër mrekullitë natyrore më të veçanta të vendit.
Skrapari ka një histori të pasur dhe të lashtë, e përfaqësuar në dokumente dhe kujtesën kolektive. Zona është banuar që në lashtësi dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në ngjarje të ndryshme historike.
Në mesjetë, në Krapar u ndërtuan kështjella, të cilat mbeten edhe sot pika referimi për trashëgiminë historike të Skraparit. Disa prej tyre janë: Kalaja e Lavdarit, Dhoresit, Bregu i Koronit në Bargullas,etj. Po ashtu, kalaja e ndërtuar në majë të kodrës së Cerovës, përballë qytetit të Çorovodës, dëshmon për rëndësinë strategjike të zonës në mbrojtje dhe organizim mesjetar.
Një tjetër dëshmi e jetës urbane është ndërtimi i hamameve dhe banjove turke në fshatin Slatinjë, vetëm 5 km nga Çorovoda, të cilat mendohet të jenë ndërtuar në shekujt XVI–XVII. Këto objekte janë unike jo vetëm për Skraparin, por në rang kombëtar, për shkak të konstruksioneve solide dhe funksionit të tyre publik. Po ashtu, ura e Kasabashit dhe ura e Sharovës janë pjesë e një rrjeti rrugor të hershëm ndërrajonal, të cilat kanë lehtësuar lidhjen e krahinës me provincat fqinje.
Një nga elementët që e veçon Skraparin është lidhja e fortë me natyrën. Kanionet e Osumit, të gjata rreth 13 kilometra, përbëjnë një nga format më të veçanta të relievit në Shqipëri, duke ofruar mundësi të shumta për sporte natyrore si rafting, eksplorim dhe alpinizëm. Parku Kombëtar i Tomorrit, i shtrirë në pjesën lindore të Skraparit, është një tjetër pasuri e çmuar, ku ndërthuren peisazhi i ashpër malor, biodiversiteti dhe vlera shpirtërore.
Skrapari është gjithashtu një nga krahinat që ruan më fort traditat popullore. Muzika polifonike, këngët epike, veshjet tradicionale dhe artizanati janë ende pjesë aktive e jetës kulturore të komunitetit. Zona është e njohur për prodhimin e rakisë së rrushit, që konsiderohet ndër më cilësoret në Shqipëri dhe që është bërë simbol i mikpritjes dhe identitetit vendas.
Trashëgimia shpirtërore e Skraparit lidhet ngushtë me Teqenë e Kulmakut, vend pelegrinazhi për bektashinjtë, e ndodhur në malin e Tomorrit, e cila luan rol të rëndësishëm në jetën fetare të zonës. Ky vend i shenjtë vizitohet çdo gusht nga mijëra besimtarë, duke e kthyer malin në një simbol të harmonisë shpirtërore dhe bashkimit ndërbrezor.
Skrapari është një kombinim i rrallë i natyrës së egër, historisë, kulturës fetare dhe traditës. Ai mbetet një ndër destinacionet më të veçanta për ata që kërkojnë përvoja autentike në Shqipërinë juglindore.


















