Korça, qyteti i serenatave është zemra e Shqipërisë juglindore dhe ofron një thesar të bukurive natyrore, nga malet e larta, pyjet e gjelbërta dhe pasuritë ujore, të gjitha pët t’u eksloruar.
Korça rrethohet nga një numër i konsiderueshëm kodrash e malesh, dhe kufizohet në lindje me malin e Moravës, në perëndim me zonën e Gorës, Voskopojën dhe Vithkuqin; në jug me Malin e Qarrit dhe në pjesën veriore me Malin e Thatë.
Qyteti i Korçës u themelua në shekujt V-VI dhe është një nga qytetet e vendeve të Europës Juglindore, i cili është banuar herët, bazuar në gërmimet arkeologjike dhe daljen në dritë të fortifikimeve ilire.
Të katërta stinët e vitit kanë bukurinë e vet për një udhëtim në Korçë. Qyteti i Korçës në dimër ofron një panoramë të mrekullueshme nën petkun e bardhë.
Korça është e bukur edhe në stinën e vjeshtës, ku përveç se mund të shijoni bukuritë e qytetit dhe ngjyrat e vjeshtës do të keni mundësinë të provoni frutat e mrekullueshme të zonës.
Për të gjithë ata, që preferojnë klimën malore gjatë verës së nxehtë, Korça dhe rrethinat e saj ofrojnë freskinë dhe ajër të pastër mes natyrës.
Korça gjatë gjithë vitit ofron aktivitete të shumta kulturore, festa e panaire që e gjallërojnë jetën e qytetit. Një numër i madh vizitorësh shënohet veçanërisht në ditët e festave, si: Pashkët, Krishtlindjet, Karnavalet apo festa e birrës.
Një ndër atraksionet më të veçanta të Korçës është Pazari i Vjetër, në të cilin pasqyrohen më së miri traditat e ruajtura ndër vite si dhe arkitektura e vjetër dhe moderne e këtij qyteti. Në këtë zone historike gjenden edhe bare, restorante dhe shitore të bukura.
Në Korçë gjenden një sërë muzesh, të cilat përcjellin artin dhe traditat e këtij qyteti, i njohur edhe si Parisi i vogël i Shqipërisë. Këtu janë disa nga atraksionet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj. Ndër ta përmendim: Muzeu Kombëtar i Arsimit, në godinën ku u hap shkolla e parë shqipe më 1887; Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar; Muzeu Prehistorik, Shtëpia-muze e piktorit të njohur Vangjush Mio, Muzeu i Artit Oriental “Bratko” dhe Muzeu i Fotografisë Gjon Mili, etj.
Teatri “Çajupi” është vendi ku mund të ndiqen koncerte apo shfaqje teatrale sipas kalendarit kulturor të sezonit. Përveç muzeve dhe monumenteve, Korça është qyteti ku organizohen karnavalet më të bukura në Shqipëri, të cilt organizohen pak ditë para Pashkës Ortodokse.
Serenatat e dashurisë janë këngët karakteristike, të cilat e simbolizojnë Korçën si qytet të dashurisë dhe traditave të bukura e romantike. Në qytet gjenden taverna të shumta me gatime të shijshme tradicionale si; p.sh. lloje të ndryshme byreku, që ndërthuren në mënyrë të përkryer me muzikën e mirë dhe pijen tradicionale, rakinë.
Korça është një pikënisje shumë e mirë për të zbuluar edhe shumë pika turistike të vendosura në malet e afërta rreth e përqark si; Voskopoja, Dardha, Vithkuqi e Boboshtica. Këto fshatra turistike janë të njohur sepse të ofrojnë mundësinë për të praktikuar shumë sporte dhe aktivitete në natyrë. Qarku i Korçës është i njohur edhe për kishat e bukura bizantine të Vithkuqit dhe të Voskpojës, me afresket e pikturuara në muret e tyre nga piktorët shqiptarë të mesjetës. Në afërsi të Korçës, ju mund të vizitoni Liqenin e Prespës, i cili është Parku më i madh Kombëtar në vend, Parkun Kombëtar të Drenovës, Tumën ilire të Kamenicës, etj.
























































