Dibra shtrihet në verilindje të Shqipërisë në kufi me Maqedoninë e Veriut. Kryeqendra e saj është qyteti i Peshkopisë. Dibra ndodhet në dy anët e luginës së Drinit të Zi duke u kufizuar në lindje nga vargmali i Korabit dhe në perëndim nga vargmalet e Lurës, 185 km larg kryeqytetit Tiranë. Në afërsi të Peshkopisë ndodhet mali më i lartë i Shqipërisë, Mali i Korabit me një lartësi prej 2,751 m mbi nivelin e detit, pjesë e Parkut Kombëtar Natyror Korab – Koritnik, një nga destinacionet turistike më të bukura të Shqipërisë.
Destinacione të tjera për të mos u humbur në krahinën e Dibrës janë: Parkun Kombëtar i Lurës dhe liqenet akullnajore të saj si një nga peisazhet më përrallore e piktoreske, brigjet e lumit Drini i Zi me luginën dhe kanionet magjepsës, fantastike për sportet e aventurës dhe rafting, mali dhe Bjeshka e Gramës e njohur si margaritari i kurorës turistike të Dibrës plot me pyje e kullota alpine, fshatin Kërçisht pranë ballkonit natyror të Maqellarës bashkë me monumentet e kultit dhe kalanë e Grezhdanit, fshatin turistik të gurtë të Rabdishtit, një nga 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë, bjeshkët e Hinoskës, parkun agroturistik të Begjunecit, muzeun kushtuar Skënderbeut dhe familjes së Kastriotëve, dhe muzeun e Dibrës.
Një atraksion i veçantë në Dibër jane Ujërat kurativë e termalë të Peshkopisë shtrihen rreth dy kilometra në lindje të qytetit, dhe janë një ndër atraksionet shëndetësore më të kërkuara. Pasuritë hidrike kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të rrethit, si në energji, ujitje, peshkim, apo industri.
Në Dibër mund të provoni mikpritjen e ngrohtë të gërshetuar me natyrën mahnitëse, malet, lumenjtë, liqenet, fushat, monumentet e natyrës dhe të kulturës materiale e shpirtërore, kalatë antike, e gjitha një mrekulli e krijuar nga natyra dhe dora e njeriut.
Rrethi i Dibrës është një qendër e rëndësishme artizanale, tregtare dhe infrastrukturore me potencial si atraksion turistik në çdo stinë të vitit. Nuk mund të largoheni nga Dibra pa provuar shijen e mirë të jufkave dhe sheqerpares, gatime tradicionale të krahinës si dhe rakinë e kumbullës.


































