Berat

Mangagelm Berat

Min: 3°C
/
Max: 13.1°C

Berati, Qyteti i një mbi një dritareve

Berati: Qyteti i një mbi një dritareve dhe i trashëgimisë se mbrojtur botërore

Berati ndodhet në pjesën jugore të Shqipërisë dhe shtrihet në të dy brigjet e lumit Osum, nën hijen e kodrës së kalasë dhe të maleve përreth. Qyteti përbëhet nga dy njësi të dallueshme: qyteti i vjetër, i cili ruan strukturën urbanistike tradicionale dhe është pjesë e mbrojtur nga UNESCO, dhe qyteti i ri, i cili shtrihet në fusha më të ulëta dhe ka një zhvillim bashkëkohor urban dhe infrastrukturor.

Qyteti i vjetër përfshin lagjet historike Mangalem, Goricë dhe Lagjen e Kalasë, të cilat janë të banuara në mënyrë të vazhdueshme prej shekujsh. Ndërtesat tradicionale, rrugicat me kalldrëm, fasadat e bardha dhe dritaret karakteristike që ngjiten mbi shpatet e kodrave i japin qytetit identitetin e veçantë të “qytetit të një mbi një dritareve”. Kjo zonë është ruajtur si një ansambël muzeal unik dhe përfaqëson një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Qyteti njihej në lashtësi me emra të ndryshëm, përfshirë Antipatrean në periudhën ilire dhe romake, kur ai u përmend edhe nga historianë të lashtë si Tit Livi, i cili e përshkroi atë si qytet të madh dhe të fortë gjatë kohës kur romakët e pushtuan.

Qyteti i ri është ndërtuar kryesisht gjatë shekullit XX dhe përfshin pjesën më të madhe të institucioneve publike, qendrës administrative, shkollave, spitaleve dhe hapësirave të banimit modern. Kjo pjesë e qytetit ofron gjithashtu shërbime turistike, akomodim dhe lehtësi për vizitorët që vijnë për të eksploruar Beratin historik.

Historia e Beratit është ndër më të vjetrat në vend, me gjurmë që datojnë që nga antikiteti. Kalaja e Beratit, ndërtuar mbi një kodër shkëmbore në shekullin XIII, është një nga fortesat më të mëdha dhe të ruajtura në Shqipëri. Brenda saj ndodhen kisha bizantine, shtëpi banimi, rrugë të ngushta kalldrëmi dhe i mirënjohuri Muzeu Kombëtar i Ikonografisë “Onufri”, që përmban vepra të mjeshtrave më të njohur të ikonografisë shqiptare. Gjatë shekullit XVI – XVIII, Berati u shndërrua në një qendër të rëndësishme tregtare dhe artizanale në rajon. Në shekullin e XVIII Berati njihej për artizanatin e tij të zhvilluar, tregjet e lirshme dhe lidhjet tregtare që e lidhnin atë me Lindjen dhe Perëndimin përmes rrugëve tokësore dhe detare

Karakteristikat që e veçojnë Beratin janë ruajtja e stilit të arkitekturës tradicionale, trashëgimia ndërfetare dhe vlerat artistike që përcillen brez pas brezi. Në të njëjtën hapësirë gjeografike, vizitorët mund të shohin Katedralen e Shën Mërisë, Xhaminë e Mbretit, Xhaminë e Plumbit, Teqenë e Helvetive dhe kishat e lagjes Gorica, duke dëshmuar për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare ndër shekuj.

Trashëgimia kulturore e Beratit përfshin gjithashtu artizanatin e pasur, festivalet e traditës dhe aktivitetet artistike që zhvillohen në qytet gjatë gjithë vitit. Festa popullore, prodhimet artizanale dhe mikpritja karakteristike e banorëve i japin qytetit një gjallëri të vazhdueshme.

Berati nuk është vetem nje destinacion turistik, por një dëshmi e gjallë e historisë, artit dhe shpirtit shqiptar që ruhet me krenari dhe përcillet me dashuri.

Share

Facebook
LinkedIn
Email
X

Pikat e Interesit

Zbulo Beratin

VisitBerat

Aktivitete të pafundme për ty