Agjencia Kombëtare e Turizmit nis turin e zhvillimit dhe promovimit digjital të Shqipërisë turistike në universitetet e vendit.
Në aktivitetin me studentët e Universitetit Metropolitan Tirana, Znj. Zana Çela, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, theksoi rëndësinë e inovacionit dhe digjitalizimit në përgatitjen e profesionistëve të rinj për sektorin e turizmit.
Aplikacioni TEA u prit me interes nga studentët që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në fushën e turizmit, si një mjet praktik dhe bashkëkohor për zbulimin e eventeve dhe destinacioneve shqiptare.
Gjithashtu, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela, dhe Rektorit të Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Nikolla Civici.
Kjo marrëveshje përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit mes AKT-së dhe institucioneve akademike, në funksion të integrimit të rinisë në promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit shqiptar.
Takimet do të vijojnë në universitete të tjera të vendit, për t’i angazhuar të rinjtë si promotorë të Shqipërisë turistike në epokën digjitale.









