Nga data 22 deri më 25 nëntor, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela mori pjesë në Panairin “Wine Vision by Open Balkan” në Beograd të Serbisë.
Edicioni i Katërt i Panairit u çel përmes një ceremonie zyrtare, një aktivitet rajonal që synon forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe krijimin e një platforme të rëndësishme për promovimin e prodhuesve të verës dhe potencialit enogastronomik të rajonit.
Në hapjen e panairit ishin të pranishëm Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Çela dhe Ambasadori i Shqipërisë në Beograd z. Bardhyl Canaj, të cilët ndoqën nga afër përfaqësimin institucional dhe promovimin e ofertës turistike të Shqipërisë.
Panairi “Wine Vision by Open Balkan” është një mundësi e mirë jo vetëm për promovimin e kantinave shqiptare, por edhe për të zgjeruar bashkëpunimin rajonal drejt tregjeve ndërkombëtare.
Gjatë panairit, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare e Turizmit znj. Zana Çela zhvilloi takime me znj. Marija Labović, Drejtoreshë e Organizatës Kombëtare të Turizmit dhe Zv/Ministren e Turizmit të Serbisë, Znj. Višnja Rakić.
Në bazë të protokollit të bashkëpunimit, diskutimi u përqëndrua mbi promovimin e ofertave të përbashkëta, sidomos për tregjet e largëta si Kina dhe Amerika, si dhe për organizimin e eventeve.
Gjatë ditëve të Panairit, znj. Çela u takua me prodhuesit shqiptarë të verërave, pjesëmarrës në aktivitet.
Në një kompeticion të fortë mes 880 kampionëve të verës, Kabernelo Rezerva Cuvee 2019 nga @fabakantina u vlerësua me çmimin National Trophy.
Ndërsa Estia Shesh i Zi 2024 nga Kantina Arianiti fitoi trofeun Best Rosé.
Mes mbi 600 ekspozuesish, Shqipëria u përfaqësua denjësisht nga kantinat tona, të cilat prezantuan produktet e tyre përpara vizitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Prodhuesit vendas u shprehën krenarë për arritjet.
Gjatë ditëve të panairit, Petrit Çobo nga Kantina Çobo tregoi se pjesëmarrja ka qenë shumë frytdhënëse, pasi ka zhvilluar takime të rëndësishme me importues ndërkombëtarë nga Kanadaja, Singapori dhe Anglia.
Edhe Evalt Domi, enolog i Kantinës Duka, tha se importuesit nga rajoni dhe Evropa Qendrore kanë treguar interes për prodhimet autoktone shqiptare, siç janë Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi.
Këtë vit, në Panairin “Wine Vision” në Beograd, në stendën e përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, prezantuqm ofertën tonë turistike, nga destinacionet natyrore te thesarët e trashëgimisë kulturore dhe mjeshtëria jonë artizanale.
Në tryezat e punës u shkëmbyen përvoja artizanale mes tre vendeve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe trashëgimisë jomateriale.
Ndërkohë, Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore solli energjinë dhe ritmin e kulturës sonë, duke e bërë prezantimin e Shqipërisë edhe më të veçantë.
Së bashku me stafin e AKT, dhanë kontributin e tyre edhe artistët e Ansamblit dhe drejtuesit e tij, si dhe mjeshtrja e artizanatit Edlira Sulaj.
Të shumta ishin mediat të cilat shfaqën interes për zhvillimin e turizmit shqiptar gjatë dy viteve të fundit.










