Tourism Fair Albania

Tourism Fair Albania është një nga eventet më të rëndësishme të turizmit në Shqipëri, që zhvillohet çdo vit në Tiranë. Ky panair shërben si një platformë kryesore për promovimin e destinacioneve turistike shqiptare dhe për krijimin e lidhjeve mes aktorëve të industrisë, si agjenci udhëtimi, hotele, operatorë turistikë dhe institucione.

Gjatë panairit prezantohen atraksionet natyrore dhe kulturore të vendit, organizohen takime biznesi (B2B) dhe diskutime mbi zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Eventi tërheq pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rajoni, si dhe partnerë ndërkombëtarë, duke kontribuar në rritjen e bashkëpunimit dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithnjë e më i kërkuar.

Tourism Fair Albania luan një rol kyç në forcimin e imazhit të vendit në tregun global dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit.

Ky panair u zhvillua më 11–12 shkurt 2026 dhe mblodhi profesionistë të turizmit nga mbi 18 vende, duke u fokusuar në bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

Një komponent qendror i eventit ishte programi B2B, i organizuar për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me Neë Deal Europe. Në këtë kuadër, morën pjesë 40 blerës ndërkombëtarë nga 18 vende, përfshirë tregje me potencial të lartë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Japonia dhe Kina. Në total, u skeduluan 813 takime B2B përmes platformës digjitale www.b2balkan.com, të zhvilluara në një zonë të dedikuar brenda panairit.

Gjatë dy ditëve të eventit u zhvilluan 17 panele diskutimi, me rreth 70 folës ekspertë dhe profesionistë të sektorit, ku u trajtuan tema që lidhen me zhvillimin e turizmit gjithëvjetor, qendrueshmërinë e sektorit, bashkëpunimin ndërrajonal, promovimin e destinacioneve, teknologjinë, standardet e shërbimit etj.

Agjencia Kombëtare e Turizmit së bashku me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe sportit, ishin mbështetja kryesore e Tourism Fair Albania, duke u prezantuar me një stendë moderne dhe tërheqëse e konceptuar si një kub digjital që përfaqëson Shqipërinë në 4 stinë, duke bashkuar teknologjinë, inovacionin dhe traditën, dhe duke ofruar një përvojë të plotë për vizitorët. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, institucioni promovoi potencialet turistike të Shqipërisë dhe forcoi bashkëpunimin me aktorë të industrisë vendase dhe ndërkombëtare.

Facebook
LinkedIn
Email
X