Shtegu Pogradec-Kabash-Ujëvara e madhe (Katjel)

Nëse kërkoni një shëtitje të lehtë, por të pasur me përjetime natyrore dhe historike, ky shteg është ideal për ju! Nisja bëhet nga qendra e qytetit të Pogradecit, ku ecja vazhdon nëpër lagjen karakteristike të Goricës, dhe më pas fillon ngjitja drejt kishës së vjetër të Kabashit “Shën e Djela”, e pozicionuar në një pikë panoramike që ofron pamje të jashtëzakonshme mbi qytetin, liqenin dhe gjelbërimin përreth.

Në këtë vend të qetë, të mbushur me energji natyrore, realizohet një pushim i këndshëm pikniku, një moment i veçantë për t’u shijuar në paqe. Pas pushimit, ecja vazhdon për rreth 30 minuta drejt ujëvarës së Katjelit, një vend me bukuri natyrore dhe me një histori të veçantë: emri “Katjel” rrjedh nga latinishtja castellum (kështjellë), pasi besohet se në këtë zonë u vendosën banorët e lashtë të kalasë së Pogradecit gjatë dyndjeve sllave.

Destinacioni përfundimtar, ujëvara e madhe e Katjelit, është një vend i përsosur për relaks dhe kamping në natyrë, ku gjelbërimi dhe uji ndërthuren në një peizazh që të lë pa fjalë. Shtegu është i lehtë dhe nuk kërkon përgatitje fizike, i përshtatshëm për të gjitha moshat, ideale për një ditë aktive me familjen apo miqtë.

Facebook
LinkedIn
Email
X