Në funksion të rolit që Agjencia Kombëtare e Turizmit ka në planifikimin, organizimin dhe koordinimin e kalendarit kombëtar të eventeve turistike, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit znj. Zana Cela zhvilloi një takim me z. Alessandro Ruggera, Drejtorin e Institutit Italian të Kulturës.
Në takim u bisedua mbi mundësi të reja bashkëpunimi që shërbejnë si ura lidhëse midis dy vendeve tona përmes promovimit të kulturës dhe turizmit.
Gjatë bisedës, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së shprehu dëshirën për të forcuar partneritetet me kompani dhe shoqata kulturore italiane, me qëllim krijimin e nismave të përbashkëta që promovojnë trashëgiminë kulturore dhe krijimtarinë bashkëkohore. “Këto nisma, përmes sinergjive midis institucioneve dhe komuniteteve lokale, do të kontribuojnë në promovimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Italisë si destinacione kulturore dhe turistike”, theksoi znj. Çela.
Nga ana e tij, z. Ruggera u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar në këtë drejtim, duke theksuar rëndësinë e projekteve ndërkulturore që afrojnë njerëzit përmes artit, traditës dhe krijimtarisë.
Deri në shtator 2025, numri i vizitorëve italianë në Shqipëri është rritur me 24% krahasuar me një vit më parë, duke arritur mbi 1.1 milion vizitorë. Ky është një tregues i qartë i lidhjeve gjithnjë e më të forta midis dy vendeve tona, ku Italia mbetet një nga tregjet më të rëndësishme për turizmin shqiptar.



