Muzeu Historik është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Vlorës i cili përfaqëson një nga institucionet kryesore të qytetit, që pasqyron historinë e Vlorës dhe rolin e saj në historinë kombëtare shqiptare. Muzeu Historik i Vlorës ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të veçantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave.
Ky muze u krijua në vitin 1962 në të cilin janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës Olimpias(Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori.