Kalaja e Bashtovës, monument kulture i qytetërimit mesjetar ngrihet pranë fshatit Vilë-Bashtovë në një distancë rreth 3-4 km në veri të grykëderdhjes së lumit Shkumbin. Kalaja është ndërtuar në shekullin e XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Ajo ka formë katërkëndore me përmasa 60 x 90 metra, dhe mure 9 m të lartë. Pjesa perëndimore e Kalasë është rindërtuar në shekullin e XVIII. Sipas të dhënave historike dhe arkeologjike kalaja mendohet të ketë qenë dy-katëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës, rrënojat e së cilës mbeten ende për t’u zbuluar.
Kalaja e Bashtovës njihet si e vetmja kala në Ballkan e ndërtuar në fushë. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot vizitohen nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Shumë objekte të zbuluara në kala ruhen sot në Muzeun Kombëtar të Tiranës.