Pa dyshim që trashëgimia kulturore e Rajonit të Pogradecit nuk do të mund të kuptohej pa gastronominë e veçantë dhe të shumëllojshme. Si pjesë e traditës mbarë shqiptare në fushën e trashëgimisë kulturore ajo është e lidhur ngushtë me elementët etnografik, traditat, zakonet dhe mjedisin karakteristik të vetë zonës.
Përgatitja e zahireve është traditë e hershme e gjithë trevës së Pogradecit, fshatit dhe qytetit. Zgjatja e periudhës së dimrit shtron domosdoshmërinë e grumbullimit të ushqimeve dhe përgatitjes së tyre, që në fund të stinës së verës dhe fillimit të vjeshtës. Në këtë periudhë përgatiten petkat, trahani i ëmbël dhe i thartë, oshafet, reçelrat, turshitë nga më të thjeshtat deri tek të mbushurat.
Nga fundi i vjeshtës përgatitet pastërmaja, llukanikët e kollofacet. Nxjerrja e verës dhe rakisë shoqëron përgatitjen e zahireve, të cilat ruhen në ambjente të posaçme (bodrume apo qilare) të shtëpive private të fshatit por edhe qytetit. Guzhina tradicionale pëlqehet dhe preferohet nga të gjithë për freskinë dhe cilësitë e veta organike.
Qyteti i Pogradecit si edhe fshatrat e pozicionura përgjatë liqenit të Ohrit si Tushemishti, Pojska, Lini ofrojnë gatimin e peshkut të koranit (si tava me peshk koran e cila është pjesë e trashëgimise kulturore jomateriale), troftës, belushkës, krapit, ngjalës etj.Ndër gatimet me bazë brumi përmendim lloje të ndryshme bukë si bukë misri bukë gruri, bukë me qiqra, kulaç.lakror, petanik petulla përvelaqe. Në gamën e pasur të gatimeve tradicionale nuk mund të lemë pa përmendur ëmbëlsirat e ndryshme si bakllavaja, oshmare, hasude, revani, hallva, sheqerpare, qumeshtor etj.