Kryeministri Rama: 11,7 milionë vizitorë të huaj në 2024

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar shifrën zyrtare të vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë në vitin 2024. Janë plotë 11,7 milionë vizitorë të huaj ose 15.2% më shumë se viti 2023.

Në një postim të përbashkët me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Kreu i Qeverisë shprehet se kjo e bën vitin 2024 një tjetër vit rekord dhe dëshmon se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet i momentit, por ka shtruar për së mbari rrugën e saj në rritjen e qëndrueshme në shifra, në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar, si dhe ofrimin e përvojave unike në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj.

“Konsolidimi i tregjeve të Evropës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vetëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjoz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti”, shkruan Kryeministri Rama.

Shifrat e publikuara tregojnë se vetëm në muajin dhjetor, në vendin tonë erdhën 654 mijë vizitorë të huaj ose 6.1% më shumë krahasuar me vitin 2023.

Shpërndaje në: