Turi Katër Ditësh në Alpet Shqiptare

Tirana – Theth – Shkodra – Vermosh – Razem – Boge – Valbonë

Gjatë këtij turi 4-ditor, do të keni mundësinë të eksploroni një nga rajonet më të bukura të Shqipërisë, Alpet Shqiptare, të cilat ndodhen në pjesën veriore të vendit, në rajonin e Shkodrës. Natyrën mahnitëse të masivëve malorë të Shqipërisë, ajrin e pastër, pyjet e dendura, livadhet alpine dhe lumenjtë që shkëmbehen janë disa nga atraksionet më tërheqëse që ofron Shqipëria e Veriut. Fshatrat turistikë në Alpe, Parku Kombëtar i Alpeve, Lugu i Valbonës dhe pamjet mahnitëse të Thethit, së bashku me kanionet që janë formuar aty dhe qytetin historik të Shkodrës, e bëjnë këtë destinacion një mundësi jo vetëm për turizmin malor, por mund të vizitohet gjatë të katër stinëve.

Rreth Aktivitetit

  • Numri Ditëve
    4

Itinerari

Dita 01

Dita 1: Tiranë – Theth

Nisja nga Tirana në orët e para të mëngjesit drejt Thethit. Pas disa kilometrave udhëtim, parashikohet një ndalesë e shkurtër në Qafën e Thorës, ku ndodhet një restorant karakteristik i ndërtuar me dru dhe gur, që ofron pamje panoramike mbi malet e thepisura dhe luginat alpine përreth. Udhëtimi vijon drejt fshatit Theth, një nga destinacionet më të njohura alpine të Shqipërisë.

Vizita përfshin Kishën e Thethit, e ndërtuar në vitin 1892 dhe e restauruar në vitin 2005, e cila përfaqëson një nga pamjet më të fotografuara nga vizitorët vendas dhe të huaj. Gjatë ecjes në zonë vërehen shtëpi karakteristike alpine, të njohura si kulla, si dhe Kulla e Ngujimit, një dëshmi e rëndësishme e traditës dhe historisë lokale.

Nga zona pranë mullirit të vjetër të Thethit, ndiqet shtegu që të çon drejt Kanionit të Thethit,  duke ofruar pamje natyrore mbresëlënëse. Parku Kombëtar i Thethit mbulohet pothuajse 90% nga pyje masive ahu dhe dallohet për biodiversitetin e pasur.

Dita 02

Dita 2: Theth – Kanioni i Grunasit – Shkodër

Dita e dytë nis me eksplorimin e Kanionit të Grunasit, një formacion natyror i rrethuar nga një mjedis i qetë dhe frymëzues. Pas kësaj ndalese, vizita vijon drejt një prej atraksioneve natyrore më të veçanta të zonës, Syri i Kaltër i Thethit, një burim ujor me formë eliptike dhe nuanca të thella blu, që krijojnë iluzionin e një syri natyror. Në këtë zonë është e mundur edhe konsumimi i drekës në një bujtinë tradicionale, mes natyrës.

Pasdite nisja drejt Shkodrës. Vizita përfshin Kalanë e Rozafës, e vendosur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit, e rrethuar nga lumenjtë Drin, Bunë dhe Kir. Shkodra është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, e themeluar në shek. IV p.e.s. si kryeqytet i fisit ilir të Labeatëve. Gjatë historisë, qyteti ka kaluar nën sundimin romak, serb, venecian dhe osman, duke qenë gjithashtu qendër e Principatës së Balshajve dhe më vonë kryeqytet i Pashallëkut të Bushatlinjve.

Kalaja e Rozafës ka origjinë ilire dhe lidhet ngushtë me legjendën e Rozafës, një nga tregimet më të njohura të folklorit shqiptar. Programi vijon me vizita në Muzeun Historik, shtëpinë-muze të Oso Kukës, Arkivin Fotografik Marubi, Kullën e Sahatit (ose Kullën e Anglezi), si dhe lagjet karakteristike Gjuhadol dhe Serreq, të njohura për arkitekturën e tyre.

Në afërsi të qytetit ndodhet Liqeni i Shkodrës, liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik, me qendra turistike si Shiroka dhe Zogaj. Zona ofron mundësi për not, lundrim dhe gastronomi tradicionale, veçanërisht gatime me troftë dhe krap.

Dita 03

Ditët 3–4: Shkodër – Vermosh – Razëm – Bogë – Lugina e Valbonës

Udhëtimi vijon drejt Vermoshit, zona më veriore e Shqipërisë dhe pjesë e krahinës së Kelmendit. Vermoshi ndodhet rreth 95 km nga Shkodra dhe shtrihet në një fushë alpine në lartësinë 1 100 m mbi nivelin e detit. Gjatë rrugës kalohet Qafa e Rrapshit, nga ku dallohen ujërat e kristalta të lumit Cem. Vermoshi ofron mundësi për aktivitete në natyrë, si ecje malore, alpinizëm, ski dhe turizëm natyror.

Itinerari vazhdon drejt Razmës, një fshat turistik malor i vendosur 41 km nga Shkodra, në shpatet e malit Veleçik. Zona dallohet për pyjet me pisha dhe ah, florën alpine dhe aksesin gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe sezonin dimëror. Akomodimi ofrohet në hotele dhe struktura turistike lokale, me aktivitete si ekskursione, alpinizëm dhe ski.

Ndalese tjetër është Bogë, një zonë alpine e përshkruar edhe nga udhëtarja Edith Durham. Fshati Bogë ofron kushte për alpinizëm, sporte dimërore dhe eksplorime natyrore.

Udhëtimi përfundon në Luginën e Valbonës, një nga zonat natyrore më të bukura të Shqipërisë, e shpallur Park Kombëtar, me sipërfaqe rreth 8 000 ha. Lugina shtrihet në lindje të Alpeve Shqiptare dhe përfshin fshatra alpine si Dragobi, Valbonë  dhe Rrogam. Vizitorët mund të akomodohen në bujtina ose hotele lokale, duke shijuar gatime tradicionale si flija, mazja dhe pitet karakteristike.

Parku Kombëtar i Valbonës ofron mundësi për ecje, trekking, ski, alpinizëm, peshkim sportiv dhe hipizëm. Në pjesën veriore ndodhet Lugina e Lumit Gashi, zonë e mbrojtur nga UNESCO, e njohur për liqenet akullnajore të Dobërdolit dhe Sylbicës, të aksesueshme gjatë sezonit veror.

Facebook
LinkedIn
Email
X