Tur 4-ditor Lushnjë-Divjakë-Vlorë-Selenicë-Himarë

Ky itinerar katërditor pasqyron Shqipërinë turistike përmes një kombinimi të harmonizuar të trashëgimisë historike dhe kulturore, zonave të mbrojtura natyrore, qyteteve me rëndësi kombëtare dhe bregdetit shqiptar. Programi lidh destinacione me identitete të ndryshme, nga hapësirat natyrore dhe urbane deri te peizazhet e Rivierës Shqiptare, duke ofruar një panoramë të qartë të diversitetit turistik të vendit. Përmes këtij udhëtimi, vizitorët kanë mundësinë të njohin Shqipërinë si një destinacion gjithëpërfshirës, ku historia, natyra dhe jeta lokale ndërthuren në mënyrë organike.

Rreth Aktivitetit

  • Numri Ditëve
    4

Itinerari

Dita 01

Nisja e turit realizohet nga Tirana drejt Lushnjes i cili është një, qytet i vendosur në fushën e Myzeqesë, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të Shqipërisë. Lushnja ka një rol të veçantë në historinë kombëtare, pasi në vitin 1920 këtu u mbajt Kongresi i Lushnjës, një nga ngjarjet themelore për konsolidimin e shtetit shqiptar. Programi parashikon një shëtitje orientuese në qytet dhe njohje me historinë, jetën urbane dhe traditat lokale.

Udhëtimi vijon drejt Divjakës. Vizita përqendrohet në Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta e cila është një zonë e mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Parku përfshin Lagunën e Karavastasë, laguna më e madhe në Shqipëri, e njohur për biodiversitetin e pasur dhe praninë e pelikanit kaçurrel. Zona karakterizohet nga pyje pishe, ekosisteme lagunore dhe shtigje natyrore. Pas vizitës, parashikohet kohë e lirë për relaks në plazhin e Divjakës. Akomodimi dhe darka realizohen në Divjakë.

Dita 02

Pas mëngjesit, nisja bëhet drejt Vlorës, një nga qytetet më të rëndësishme historike dhe turistike të Shqipërisë. Vlora njihet si qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe për pozicionin e saj gjeografik mes detit Adriatik dhe atij Jon.

Programi përfshin vizitë në Xhaminë e Muradies, shëtitje përgjatë Lungomares, si dhe vizitë në Muzeun e Pavarësisë dhe Sheshi i Flamurit. Në varësi të kohës, parashikohet ndalesë panoramike në Kuzum Baba, me pamje mbi qytetin dhe gjirin e Vlorës.

Vija bregdetare e Vlorës ofron një larmi plazhesh, nga plazhi urban i qytetit deri në zona më natyrore si Plazhi i Radhimës, Plazhi i Orikumit dhe Plazhi i Jonufrës.

Kuzhina tradicionale e Vlorës pasqyron ndërthurjen e traditës bregdetare me atë rurale, me gatime tipike si peshk dhe fruta deti të freskëta, byrekë shtëpie, mish qengji i pjekur dhe produkte bulmeti vendas, të shoqëruara me vaj ulliri dhe verëra lokale. Darka dhe akomodimi realizohen në Vlorë.

Dita 03

Dita e tretë i kushtohet Selenicës, një zonë me identitet të theksuar industrial dhe historik, e njohur për traditën e nxjerrjes së bitumit, veprimtari që ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të zonës gjatë shekullit XX.

Programi përfshin njohje me trashëgiminë industriale të qytetit dhe shëtitje në zonat përreth duke përfshirë Lumin e Vlorës (Shushica), i cili përshkon territorin dhe krijon një peizazh tipik rural. Në këtë kuadër përfshihet ndalesë pranë Urës së Bratit, një urë historike prej guri, e ndërtuar mbi lumin Shushicë, e vendosur në territorin e fshatit Brataj, si dëshmi e rrjetit të vjetër rrugor dhe trashëgimisë ndërtimore tradicionale të zonës.

Zona përreth ofron një ambient të qetë natyror dhe mundësi për njohje me jetën rurale lokale. Pasdite parashikohet kthimi drejt Vlorës.

Dita 04

Dita e fundit e turit zhvillohet përgjatë Rivierës Shqiptare. Udhëtimi kalon përmes Parkut Kombëtar të Llogarasë, një zonë e mbrojtur ku peizazhi malor ndërthuret me bregdetin jonian. Qafa e Llogarasë ofron ndalesa panoramike me pamje të gjera mbi det dhe Rivierën Shqiptare.

Gjatë rrugës parashikohet ndalesë në Porto Palermo, i njohur për gjirin natyror dhe kalanë historike. Mbërritja në Himarë shoqërohet me vizitë në Himarën e Vjetër dhe kohë të lirë në plazhet kryesore të zonës, si Plazhi i Himarës, Plazhi i Livadhit dhe Plazhi i Jalës. Turi përmbyllet në Himarë, me mundësi qëndrimi shtesë ose kthimi sipas kërkesës së vizitorëve ose turistëve.

Facebook
LinkedIn
Email
X