Tiranë – Tepelenë – Kurvelesh
Mbërritja në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Pas mbërritjes, merrni një makinë me qira nga operatorët e shumtë që ndodhen pranë aeroportit.
Më pas niseni drejt qytetit jugor të Tepelenës. Udhëtimi zgjat rreth 2 – 2.5 orë. Gjatë rrugës mund të ndaloni për një kafe “take & go” ose të pushoni në një nga baret e shumta që ndodhen përgjatë itinerarit.
Në hyrje të qytetit të Tepelenës, ju sugjerojmë të ndaloni në një nga lokalet me gatime tradicionale, si p.sh. Oda e Hasan Beut, për të shijuar një drekë që ju ndihmon të njiheni më nga afër me kulinarinë karakteristike të zonës.
Pas drekës, vazhdoni drejt brendësisë së qytetit. Që në hyrje do të përballeni me bustin e një prej figurave më të shquara shqiptare dhe botërore, Ali Pashë Tepelena. Duke ecur më tej, do të arrini në sheshin kryesor të qytetit, i quajtur Sheshi “Lord Byron”, në nder të poetit të famshëm anglez që vizitoi Tepelenën në vitin 1809.
Ngjitur me sheshin ndodhet Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, një nga rezidencat kryesore të tij. Prej andej mund të shijoni pamjen e Luginës së Vjosës, pjesë e lumit Vjosa – lumi i fundit i egër i Europës.
Më pas, ju sugjerojmë të merrni rrugën drejt zonës së Kurveleshit, e përbërë nga disa fshatra tipikë malorë si Nivicë, Progonat, Bençë, etj., ku do të gjeni akomodim në një nga guesthouse-t e shumta të zonës.
Gjatë rrugës do të hasni Kanionet e Nivicës, që ofrojnë pamje mbresëlënëse, si dhe Ujëvarën e Peshturës, e cila ndodhet shumë pranë fshatit Nivicë.
Pas eksplorimit të zonës dhe njohjes me traditat vendase, është koha për t’u akomoduar dhe për të shijuar një darkë me ushqime tradicionale.