Mëngjesi konsumohet në qendër të Përmetit dhe, pas një pushimi të shkurtër, vizita vijon drejt Banjave të Bënjës, të njohura për vlerat e larta kurative. Vaskat me ujëra termale përbëjnë një nga destinacionet më të veçanta të jugut të Shqipërisë. Pranë tyre ndodhet Kanioni i Lengaricës, rreth 200 metra larg burimeve termale, i cili dallohet për vlerat natyrore dhe arkeologjike. Studime të viteve të fundit kanë treguar se në shpellat e këtij kanioni kanë ekzistuar vendbanime parahistorike.
Ura e Kadiut ndodhet në zonën e Banjës së Bënjës, disa kilometra mbi bashkimin me lumin Vjosë. Ajo është ndërtuar mbi shkëmbinj në të dy anët, me një hark qendror në formë segmenti rrethor, një tip ndërtimi i përhapur në Shqipëri gjatë shekullit XVIII.
Nga Përmeti, itinerari vijon drejt Gjirokastrës, një qytet i pasur me histori dhe traditë, të dukshme në rrugicat e ngushta me kalldrëm. Kalaja e qytetit përmendet për herë të parë në vitin 1336, megjithëse disa historianë mendojnë se ajo është edhe më e hershme. Në vitin 1812, kalaja u pushtua nga Ali Pashë Tepelena dhe iu nënshtrua një rindërtimi që zgjati rreth një vit e gjysmë.
Vizita përfshin Muzeun e Armëve, i hapur në vitin 1971 si muze kombëtar, i cili ekspozon armë të përdorura gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Në këtë muze ndodhen edhe qelitë e burgut të ndërtuara nga Mbreti Zog, të realizuara me gurët e ujësjellësit të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena.
Muzeu Etnografik i Gjirokastrës ndodhet në lagjen Palorto, një nga lagjet më të ruajtura të qytetit historik. Ndërtesa aktuale e muzeut u ndërtua në vitin 1944, pas shkatërrimit të shtëpisë së mëparshme nga zjarri.
Shtëpia e Zekatëve, e ndërtuar në vitin 1812, konsiderohet një nga shembujt më të përkryer të arkitekturës së banesës osmane. Kjo shtëpi përfaqëson tipologjinë e kullave që u përkisnin familjeve më të pasura dhe me pozita të larta shoqërore. Ajo ka tre kate dhe ndodhet në pikën më të lartë të lagjes Palorto. Mbrëmja është e lirë, me mundësi për të shijuar ambientet kulturore dhe aktivitetet artistike që zhvillohen shpesh në qytet. Akomodimi realizohet në bujtina tradicionale të Gjirokastrës. Të nesërmen, nisja bëhet drejt Tiranës.