Dita 1
Mbërritja në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Pas mbërritjes, merrni një makinë me qira nga operatorët e shumtë që ndodhen pranë aeroportit.
Më pas, nisuni drejt qytetit jugor të Tepelenës. Udhëtimi zgjat rreth 2.5 orë. Gjatë rrugës mund të ndaloni për një kafe “take & go” ose të pushoni në një nga baret e shumta përgjatë itinerarit.
Sapo të futeni në territorin e Bashkisë Tepelenë, do të keni disa destinacione turistike që duhen vizituar patjetër. Por fillimisht, le të akomodohemi në një nga hotelet ose bujtinat e zonës, të cilat ofrojnë shërbim shumë të mirë hotelerie dhe mikpritjeje.
Unë do t’ju sugjeroja të zgjidhni një nga bujtinat e zonës, për të përjetuar nga afër mikpritjen dhe traditat lokale, si për shembull “Lord Byron”, e cila ndodhet në hyrje të qytetit të Tepelenës. Ajo ju ofron pije dhe gatime tradicionale të zonës, si dhe një ambient të ngrohtë, familjar, me natyrë të qetë buzë lumit të Bençës.
Pasi të jeni akomoduar dhe të keni konsumuar ushqimet tradicionale, është koha për të vazhduar me eksplorimin e zonës së Tepelenës. Është e detyrueshme të vizitoni Luginën dhe lumin e Vjosës, i cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë dhe i mbrojtur nga UNESCO.
Vjosa karakterizohet nga shtrirja e saj e gjatë në formë gjarpëruese dhe ofron pamje të mrekullueshme. Aty do të gjeni kafshë dhe shpendë të ndryshëm, si vidra, zogj të ndryshëm dhe një shumëllojshmëri peshqish.
Mbi shtratin e lumit Vjosë do të shikoni Urën e Beçishtit, e cila ka një origjinë që daton rreth shekullit të parë para Krishtit dhe më pas është rindërtuar në periudha të ndryshme historike, duke marrë formën përfundimtare në shekullin e 18-të gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës.
Më pas vazhdoni rrugëtimin drejt qytetit të Tepelenës. Sapo të futeni në qytet, do të shikoni bustin e Ali Pashë Tepelenës, një nga figurat më të njohura shqiptare. Gjithashtu mund të vizitoni Muzeun Historik të Tepelenës, i cili ofron objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike: nga koha e Ali Pashë Tepelenës, te Lufta për Pavarësi, Lufta e Dytë Botërore dhe periudha e komunizmit.
Pasi të keni bërë një udhëtim nëpër histori, vazhdoni drejt qendrës së qytetit, ku menjëherë do t’ju bjerë në sy Kalaja e Tepelenës dhe Sheshi “Lord Byron”. Kalaja është ndërtuar në shekullin e 17-të dhe ka shërbyer si pikë mbrojtjeje, si dhe si rezidencë e Ali Pashë Tepelenës.
Sheshi kryesor i qytetit mban emrin e poetit të famshëm anglez Lord Byron, i cili vizitoi Tepelenën në shekullin e 19-të. Gjithashtu mund të vizitoni edhe Muzeun Memorial të Kampit të Tepelenës, i cili është kthyer në një përkujtimore në nder të ish të dënuarve politikë gjatë periudhës së komunizmit.
Në fund të ditës, mund të shijoni një shëtitje me pamje nga Lugina e Vjosës, ajrin e pastër dhe qetësinë që ofron ky qytet kodrinor-malor, dhe më pas të uleni për darkë në një nga restorantet e shumta të zonës.
Dita 2
Mëngjesi në Tepelenë ju gjen mes qetësisë, ajrit të pastër dhe rrjedhave të dy lumenjve, Vjosë dhe Bençë.
Pasi të keni konsumuar mëngjesin dhe kafen tuaj, është momenti i duhur për t’u njohur me një tjetër lumë të zonës: lumin Drino. Ky lumë ofron një natyrë mahnitëse dhe shtrihet mes pemëve me gjelbërim të dendur.
Një nga vendet më të përshtatshme për ta shijuar është Uji i Ftohtë në Tepelenë, ku do të gjeni bare dhe restorante të shumta që ofrojnë gatime dhe pije tradicionale. Gjithashtu mund të provoni produkte artizanale të zonës, si mjaltë, qumësht, djathë, kos etj.
Restorantet dhe hotelet në këtë zonë ofrojnë jo vetëm ushqim të freskët, por edhe pamje nga lart të lumit Drino. Ju mund të zhyteni në ujërat e kristalta dhe të kaloni disa orë relaksi duke bërë plazh.
Më pas mund të vizitoni Urën e Leklit dhe Urën e Dragotit, dy ura të rëndësishme për banorët e zonës. Ato janë ndërtuar rreth shekullit të 20-të dhe shërbejnë për të lidhur qytete kryesore si Përmeti, Këlcyra, Gjirokastra dhe Tepelena.
Dita 3
Pasi keni vizituar lumenjtë Vjosë, Bençë dhe Drino, në ditën e tretë bëhuni gati për një aventurë malore në Malësinë e Kurveleshit.
Kjo zonë ofron pamje madhështore natyrore, si Kanionet e Nivicës dhe Ujëvara e Peshturës, por edhe monumente historike të rëndësishme si Ujësjellësi i Bençës, Mulliri i Ali Pashë Tepelenës dhe Shtëpia Muze e Selam Musait.
Le të fillojmë me Ujësjellësin e Bençës, i ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena rreth shekullit të 18-të. Përveç vlerës historike, zona përreth ofron natyrë të mrekullueshme, të përshtatshme për fotografi, shëtitje dhe piknik.
Duke vazhduar rrugën drejt zemrës së Labërisë, do të arrini te Ujëvara e Peshturës, e cila ofron një pamje spektakolare. Mund të zhyteni në ujërat që formohen poshtë saj. Fare pranë ndodhen edhe Kanionet e Nivicës, me biodiversitet të pasur bimor dhe shtazor.
Duke ndjekur rrugen , mund vazhdoni drejt Shtëpisë Muze të Selam Musait, një nga heronjtë e Tepelenës, i njohur edhe si Selam Salaria ose Selam Labi. Aty do të njiheni më nga afër me jetën dhe veprat e tij .Selam Musai ishte një figurë historike e njohur e Tepelenës dhe Labërisë, i angazhuar kryesisht gjatë pjesës së parë të shekullit XX në aktivitetet patriotike dhe shoqërore në zonë.
Më pas mund të ndaloni për drekë në një nga bujtinat e zonës, ku ofrohen gatime tradicionale të Labërisë, si mishi i pjekur, petaniku, kulaçi, byreku dhe shumë të tjera.
Në fund, ktheheni në Tepelenë për t’u përgatitur për udhëtimin e kthimit drejt Aeroportit “Nënë Tereza”.








