Tur 2 ditor Tiranë-Lezhë

Ky tur dyditor ofron një përvojë turistike gjithëpërfshirëse, duke kombinuar eksplorimin e trashëgimisë historike dhe kulturore me zbulimin e peizazheve natyrore dhe ekosistemeve të mbrojtura. Itinerari krijon mundësi për njohje me identitetin lokal, traditat, arkitekturën dhe mënyrën e jetesës së zonave të vizituara, si dhe për përjetime autentike në mjedise natyrore të ruajtura. Përgjatë udhëtimit, vizitorët kanë mundësi të shijojnë kulinarinë tradicionale, të njihen me produktet lokale dhe të përfshihen në aktivitete në natyrë. Eksperienca pasurohet nga ndërthurja e historisë, kulturës dhe natyrës. Ky itinerar është i përshtatshëm për vizitorë që kërkojnë përvoja autentike në kontekstin e turizmit kulturor dhe natyror.

Rreth Aktivitetit

  • Numri Ditëve
    2

Itinerari

Dita 01

Nisja bëhet në mëngjes nga Tirana drejt Lezhës, me një ndalesë pranë Memorialit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Memoriali është ndërtuar mbi themelet e Kishës së Shën Kollit, vendi ku u varros Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vitin 1468.  Memoriali aktual u ndërtua në vitin 1981. Brenda mureve ndodhet një radhë mburojash me stemat e principatave që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës. Gjatë vizitës, keni gjithashtu mundësi të njiheni me Kalanë e Lezhës.

Kalaja e Lezhës është ndërtuar mbi themelet e Akropolit antik dhe ndërtimi i saj filloi në shekullin VIII, duke i dhënë karakterin e një qendre qytetare. Kalaja ka kaluar disa faza ndërtimi, ndërsa faza e fundit u përfundua në vitin 1520 gjatë sundimit të Sulltan Selimit I. Pas djegies aksidentale në vitin 1398 nga Dukagjinët, venedikasit e rindërtuan kalanë në periudhën 1440–1451, duke i dhënë formën që ruan edhe sot. Pas vizitës në kala, itinerari vijon drejt fshatit Kallmet, rreth 20 minuta larg.

Fshati Kallmet  përbën një njësi etnografike të veçantë në Bashkinë Lezhë, i njohur për veshjet tradicionale të grave dhe vajzave, të dominuara nga ngjyra e bardhë, si vazhdimësi e traditës ilire. Banorët njihen si bujq dhe vreshtarë të zotë; këtu është krijuar varieteti i rrushit Kallmet, varieteti i ullirit me kokërr të madhe, si dhe produkte të përmendura në literaturën shkencore bujqësore. Ndër monumentet kulturore spikat Kisha e Shën Eufemisë, e shekullit XIII, e cila është vend pelegrinazhi për besimtarë nga Lezha dhe zona të tjera, veçanërisht gjatë ditëve të shenjta dhe të premteve.

Ishulli Lezhë përfaqëson një zonë me traditë të hershme turistike, Ishulli  Lezhë dhe laguna e Kune- Vainit formojnë një kompleks natyror tërheqës për vizitorët ditorë, të apasionuar pas natyrës dhe kulinarisë tradicionale. Në ishull ndodhet edhe Hoteli i Gjuetarit, i njohur si Vila e Kontit Çiano, një objekt me vlera historike dhe arkitekturore që ruhen edhe sot. Gjatë vizitës në lagunë, keni mundësi të shijoni restorante tradicionale me gatime lokale dhe peshk të freskët, të eksploroni zonën me biçikletë, të vëzhgoni shpendët, të provoni peshkimin sportiv ose thjesht të relaksoheni në këtë ambient natyror.

Dita 02

Pas mëngjesit, vizita vijon në Parkun Natyror të Menaxhuar “Kune–Vain–Tale”, i cili përfaqëson një nga zonat me vlera më të larta natyrore në Shqipëri. Parku u shpall zona e parë e mbrojtur në vend në vitin 1940 dhe karakterizohet nga një mozaik ekosistemesh, që përfshijnë habitate detare, lagunore, pyjore, dunore, lumore, bujqësore dhe zona të banuara. Biodiversiteti i lartë i parkut lidhet me praninë e pyjeve aluviale bregdetare, dunave të rërës që arrijnë deri në 10 metra lartësi, lagunave, detit dhe lumenjve. Në perëndim të parkut ndodhet Laguna e Patokut, e cila është një nga destinacionet më të vizituara turistike të zonës.

Parku Natyror Patok–Fushë Kuqe ndodhet rreth 50 km larg Tiranës dhe përfaqëson një nga destinacionet më tërheqëse për fundjavë. Kjo zonë unike ndërthur bregdetin e Adriatikut, lagunën dhe lumin , duke krijuar peizazhe të veçanta dhe perëndime mbresëlënëse. Laguna e Patokut është lehtësisht e aksesueshme me automjet dhe ofron një ambient të qetë e relaksues. Një element karakteristik janë kasollet prej druri të ndërtuara mbi lagunë, ku vizitorët mund të shijojnë gatimet tradicionale në një mjedis unik. Parku është i pasur me florë dhe faunë, me rreth 360 lloje bimësh dhe 180 lloje shpendësh. Një udhëtim me varkë në lagunë i afron vizitorët me mënyrën e jetesës dhe natyrën e këtij ekosistemi të veçantë.

Facebook
LinkedIn
Email
X