Tur 1 ditor në Tiranë

Nëse dëshironi të vizitoni Tiranën për një ditë ju sugjerojmë itenerarin e mëposhtëm:

Rreth Aktivitetit

  • Numri Ditëve
    1

Itinerari

Dita 01

Mund të filloni nga Sheshi “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit. Ecni rreth këtij sheshi dhe ju mund të shihni përreth tij Pallatin e Kulturës, monumentin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Bankën e Shqipërisë dhe Muzeun Historik Kombëtar. Ju mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar i cili flet për historinë e Shqipërisë nga antikiteti deri në ditët e sotme.

Në anën e majtë të Sheshit “Skënderbej” mund të gjeni Kullën e Sahatit që është ndërtuar në 1822 nga Haxhi Et’hem Beut, i njëjti person që ndërtoi dhe xhaminë pranë saj. Nga Kulla e Sahatit ju keni një pamje fantastike të qytetit. Më pas, mund të ecni për 1 minutë përgjatë ndërtesës së Bashkisë së Tiranës për të gjetur Bunk’Art 2. Një bunker i ndërtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që tregon historinë e policisë dhe xhandarmërisë gjatë periudhës së komunizmit. Duke ecur drejt, ju shkoni direkt në pedonalen të quajtur “Murat Toptani” ku gjendet kalaja e Tiranës dhe brenda mureve të saj është krijuar së fundmi një zonë e re rekreative për kryeqytetin. Kjo zonë pedonale shërben si një mjedis ku promovohen artizanët dhe traditat lokale, kulinaria dhe arti i Tiranës. Gjithashtu ju mund të shihni Galerinë Kombëtare të Arteve dhe instalacionin “Reja”. Në bulevardin Dëshmorët e Kombit vihet re lehtësisht një ndërtesë me një arkitekturë shumë interesante siç është Piramida e Tiranës, ajo është ndërtuar për të qenë një muze për diktatorin Hoxha dhe tanimë është shndërruar në një hapësirë për Edukimin dhe Teknologjinë digjitale. Duke ecur përgjatë Bulevardit kryesor po në krahun e Piramidës mund të shihni instalacionin më të ri në kryeqytet të quajtur “La Radura”, vepër e arkitektit italian Stefano Boeri si një koncept të ri për hapësirat publike.

Në Rrugën e Dibrës gjendet “Shtëpia Studio Kadare” – apartamenti ku shkrimtari i njohur jetoi e punoi nga viti 1974 deri në fillim të viteve ’90 në Tiranë, është e vizitueshme për këdo që do të njihet me jetën e autorit.
Pazari i Ri i vendosur afër qendrës së qytetit ka funksionin e një tregu normal me produkte ushqimore dhe fruta perime por është gjithashtu edhe një qendër rekreative ku zhvillohen aktivitete rinore.

Duke ecur rreth qytetit ju mund të shihni në lagje me vila të ndryshme të vjetra, me arkitekturë interesante dhe që tregojnë periudhat tranzitore në të cilën ka kaluar Tirana. Si përshembull Shtëpia e Sali Shijakut një nga vilat më të vjetra në Ballkan ose “Shtëpia me Gjethe”, një ndërtesë e përdorur gjatë periudhës së komunizmit për përgjimet sekrete të Sigurimit të Shtetit dhe tanimë i shndërruar në muze kombëtar. Ai u kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

Përballë “Shtëpisë me Gjethe” mund të gjeni Katedralen Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” dhe për të treguar harmoninë fetare në vend ju mund të shikoni në të njëjtën rrugë kisha dhe xhami të vizitueshme për këdo.

Lagjia më trendi në Tiranë është padyshim Blloku, ku do të gjeni një larmishmëri baresh dhe restorantesh. Ju thjesht mund të zgjidhni të pini diçka ose të kërceni nën ritmet e muzikës moderne. Zona e Bllokut njihet për vila të përdorura nga qeveria gjatë periudhës së komunizmit, një lagje ku nuk lejohej që qytetarët të shkonin pa patur një leje hyrje. Kjo zonë e shndërruar në lagjen më të vizituar të Tiranës për gjallërinë që ka, shfaq edhe elementë të tjerë interesantë si vila e diktatorit Enver Hoxha.
Një nga vendet më të qeta të Tiranës është Liqeni Artificial, ku do të ndiheni të relaksuar me të vërtetë dhe do të keni mundësinë për të përdorur biçikletën tuaj, për të ecur ose për të pirë kafe në natyrë.
Nga Liqeni Artificial është e lehtë për të ardhur në sheshin “Nënë Tereza” dhe duke ecur përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ju mund të gjeni atraksione të ndryshme si: Ndërtesa e Universitetit Politeknik (Ish Shtëpia Fashiste), Stadiumi “Air Albania” i rindertuar mbi stadiumin e mëparshëm, Pallati i Kongreseve, Presidenca, Parku “Rinia”.

Facebook
LinkedIn
Email
X