Itinerar 4-ditor në Sarandë

Dita 1
Mbërritja në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”.
Pas mbërritjes, merrni një makinë me qira nga operatorët e shumtë që ndodhen pranë aeroportit.

Më pas, nisuni drejt qytetit jugor të Sarandës. Udhëtimi zgjat rreth 3 orë. Gjatë rrugës mund të ndaloni për një kafe “take & go” ose të pushoni në një nga baret e shumta që ndodhen përgjatë itinerarit.

Sapo të futeni në territorin e Bashkisë Sarandë, do të keni disa destinacione turistike që duhen vizituar patjetër. Por fillimisht, le të akomodohemi në një nga hotelet e zonës, të cilat ofrojnë shërbim shumë të mirë hotelerie.

Pasi të jeni akomoduar, ju ftoj të drekoni në një nga restorantet e shumta që ofron qyteti i Sarandës. Ju mund të zgjidhni të shijoni ushqimin tradicional shqiptar, prodhimet e detit ose gatime moderne, pasi qyteti i ofron të gjitha këto. Gjithashtu, mund të zgjidhni edhe vendndodhjen e restorantit: buzë detit ose me pamje nga lart mbi qytet dhe detin Jon.

Më pas, mund të kaloni një mbrëmje të këndshme duke shëtitur buzë detit në shëtitoren e qytetit. Kjo zonë ofron shumë bare dhe restorante, ku mund të darkoni ose të shijoni një pije pranë detit.


Dita 2
Mëngjesi në qytetin e Sarandës ju gjen duke shijuar një kafe ose çaj pranë detit Jon.

Më pas, ju sugjeroj të vizitoni Butrintin dhe Syrin e Kaltër, pasuri të mbrojtura nga UNESCO. Butrinti është një udhëtim në kohë, ku do të mësoni rreth historisë së lashtë të Shqipërisë, do të shihni amfiteatrin dhe shumë objekte të tjera arkeologjike.

Syri i Kaltër, nga ana tjetër, është një destinacion natyror shumë i bukur, i cili karakterizohet nga uji që buron nga nëntoka, duke krijuar një pamje magjepsëse në ngjyrë blu, prej nga merr edhe emrin. Ju mund të zhyteni në ujërat e kristalta të Syrit të Kaltër, por duhet të bëni kujdes pasi uji është shumë i ftohtë. Megjithatë, është një përvojë që ia vlen të provohet.

Në këtë zonë keni mundësi të shijoni edhe një drekë me gatime tradicionale shqiptare, të eksploroni natyrën përreth dhe të admironi florën dhe faunën e larmishme. Gjithashtu, zona është shumë e bukur për fotografi.

Më pas, kthehuni në Sarandë dhe vazhdoni eksplorimin e qytetit. Një tjetër sit arkeologjik që ia vlen të vizitohet është qyteti i vjetër i Onhezmit dhe sinagoga e vjetër. Gjithashtu, mund të vizitoni edhe pika të tjera kulturore si: Manastiri i 40 Shenjtorëve, Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i Shën Mërisë në Kakome, Manastiri i Shën Kollit etj.


Dita 3
Dita e tretë në Sarandë përkon me Festën e Midhjes, një festë unike që bashkon kulinarinë, traditën dhe kulturën në një spektakël me aktivitete artistiko-kulturore, koncerte live, ekspozita dhe performanca tradicionale.

Ju ftojmë të shkoni në Ksamil dhe ta shijoni nga afër këtë festë, e cila zhvillohet në datat 30–31 maj.

Në Ksamil do të gjeni gjithashtu shumë plazhe me ujëra të kristalta. Plazhet që duhen vizituar patjetër janë pa dyshim tre ishujt e Ksamilit, të cilët janë lehtësisht të aksesueshëm me varka të vogla ose edhe duke notuar. Gjithashtu, mund të vizitoni Plazhin e Pasqyrave, Shpellën e Pëllumbave, Pemën e Thatë, Plazhin e Manastirit etj.

Ksamili ofron edhe restorante, bare, bujtina dhe jetë nate, të cilat mund t’i përjetoni dhe t’i shijoni me të dashurit tuaj.


Dita 4
Për ditën e katërt dhe të fundit në Sarandë, ju sugjerojmë një udhëtim me anije. Anija ka një itinerar që ju çon nëpër plazhe të virgjëra me ujëra të kristalta, të cilat janë të aksesueshme vetëm nga deti, si për shembull: Gjiri i Kakomes, Plazhi i Krorezit etj.

Pasi të përfundoni udhëtimin me anije, riktheheni në Sarandë, ku do të përgatiteni për kthimin tuaj në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Rreth Aktivitetit

Itinerari

Ju lutem plotesoni itenerarin.

Facebook
LinkedIn
Email
X