Ky tur dyditor ofron mundësinë për të eksploruar disa nga atraksionet më përfaqësuese natyrore, kulturore dhe historike të zonës së Gramshit, duke ndërthurur përvoja në natyrë, trashëgimi kulturore dhe produkte lokale.
Gjatë fundjavës do të vizitohen disa nga atraksionet turistike që ofron Bashkia Gramsh, duke nisur me Kanionin e Holtës, i formuar nga gërryerja e lumit Holta. Kanioni shtrihet në një gjatësi prej rreth 3 km, me shpate që arrijnë lartësinë 100–150 metra, ndërsa thellësia e ujit varion nga 2–3 metra. Në këtë zonë gjenden shpella dhe gropa karstike me ujëra termale, të cilat përbëjnë vlera të veçanta natyrore.
Një tjetër atraksion është Ujëvara e Sotirës, e cila përfaqëson një destinacion tërheqës jo vetëm për studiues dhe gjeografë, por edhe për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe relaks. Gjatë vizitës, keni mundësi të shijoni ambiente të përshtatshme për aktivitete në natyrë, si kamping dhe piknik, në zonën e gjelbëruar mbi ujëvarë. Ujëvara buron nga Mali i Tomorrit dhe ndodhet rreth 16 km larg qytetit të Gramshit.
Gjatë vizitës në zonën e Lenies, një nga fshatrat më të frekuentuar nga turistët vitet e fundit, keni mundësi të vizitoni Liqenin e Zi, një liqen akullnajor me ujëra kurative, i ndodhur në një lartësi prej 1,634 metrash mbi nivelin e detit, i njohur për vetitë e tij terapeutike. Po ashtu, keni mundësi të eksploroni kishat dhe urat me harqe të Grabovës së Sipërme, të ndërtuara në shekullin XVIII, të cilat ndodhen rreth 44 km nga Gramshi, në një lartësi prej 1,250 metrash mbi nivelin e detit. Kjo zonë ka qenë e banuar që në periudhën romake dhe bizantine dhe njihet veçanërisht për zhvillimin e saj gjatë shekujve XIV–XVII.
Zona karakterizohet nga bukuri natyrore, trashëgimi kulturore, rrugica me kalldrëm dhe çezma të vjetra. Gjatë vizitës, keni gjithashtu mundësi të njiheni me produktet lokale përmes një ndalese në një Biofermë, ku ofrohen produkte organike të zonës, pranë Liqenit të Lisit, i njohur edhe si Liqeni i Zambakëve. Në disa fshatra të Gramshit gjenden edhe zona të mbjella me livando, të favorizuara nga kushtet klimatike.