Shtëpia Muze “Ismail Kadare” u hap për publikun në vitin 2019 dhe është një prej destinacioneve më domethënëse kulturore në Tiranë. Kjo është banesa ku shkrimtari i madh shqiptar jetoi dhe krijoi pjesën më të madhe të veprës së tij letrare, duke përfshirë disa prej romaneve më të njohura të letërsisë shqipe.
Ndodhur në rrugën e Dibrës, ndërtesa e vjetër dhe e palyer ruan arkitekturën e thjeshtë dhe atmosferën tipike të periudhës komuniste, duke pasqyruar realitetin në të cilin Kadare jetoi dhe krijoi. Brenda apartamentit, ekspozimi është konceptuar me kujdes për të ndërthurur dokumente origjinale, objekte personale, libra, fotografi familjare dhe mobilie autentike që i përkisnin shkrimtarit.
Një nga hapësirat më tërheqëse për vizitorët është dhoma personale e Kadaresë, ku spikasin titujt e librave që e kanë ndikuar, të vendosur në një raft të bardhë të montuar nga vetë ai. Përbri librave ndodhet oxhaku, ndërsa përballë tij tryeza e punësmemakinën e tij të shkrimit, që mbart ende frymën e procesit krijues.
Në sallonin qendror ekspozohen dorëshkrime origjinale, tekste të redaktuara me dorë nga Kadareja, letërkëmbime me personalitete të njohura të botës letrare, fotografi të familjes dhe madje blloku i kujtimeve personale të autorit.
Shtëpia, ku shkrimtari jetoi dhe punoi nga viti 1974 deri në fillim të viteve ’90, është sot një vend kujtese dhe frymëzimi, i hapur për të gjithë ata që duan të njohin më nga afër jetën, krijimtarinë dhe realitetin historik që ndikoi në veprën e Ismail Kadaresë.