Fluturimi i parë direkt Barcelonë – Tiranë i operuar nga Vueling Airlines shënon një hap të ri në forcimin e lidhjeve turistike dhe ekonomike Shqipëri-Spanjë.
Më 2 korrik 2025, Vueling Airlines, pjesë e grupit prestigjioz International Airlines Group (IAG), realizoi fluturimin e parë direkt nga Barcelona drejt Tiranës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Fluturimi mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 21:40 dhe u prit me një ceremoni mirëseardhjeje, ku morën pjesë Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Cela, dhe Drejtori Operacional i TIA-s, z. Piervittorio Farabbi.
Znj. Cela theksoi rëndësinë e këtij fluturimi për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe për forcimin e bashkëpunimit turistik dhe kulturor mes dy vendeve:
“Agjencia Kombëtare e Turizmit mbështet çdo nismë që kontribuon në promovimin e Shqipërisë turistike. Linja e re Barcelonë–Tiranë është një hap drejt zhvillimit më të gjerë ekonomik dhe turistik, duke e bërë vendin tonë një destinacion gjithnjë e më tërheqës në rajon dhe më gjerë.”
Nga ana e tij, z. Farabbi vuri në dukje rritjen e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë:
“Kjo linjë është një tregues i qartë i interesit në rritje për Shqipërinë si destinacion. Ajo u ofron mundësi të reja udhëtimi si qytetarëve shqiptarë, ashtu edhe turistëve të huaj.”
Vueling Airlines do të ofrojë 4 fluturime direkte në javë, duke e bërë udhëtimin ndërmjet dy qyteteve më të shpejtë dhe të aksesueshëm.
Ky zhvillim vjen pas takimeve të rëndësishme të zhvilluara në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, në fillim të vitit, ku Agjencia Kombëtare e Turizmit diskutoi me përfaqësues të IAG për zgjerimin e rrjeteve ajrore drejt Shqipërisë.
Sipas të dhënave të vitit 2024, Shqipëria mirëpriti mbi 109,000 turistë nga Spanja, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin paraprak. Linja e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e kësaj shifre dhe në promovimin e Shqipërisë si një destinacion i lehtë për t’u vizituar.