Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit znj.Zana Çela mori pjesë në aktivitetin “Udhëtim për Nismën e Biznesit për Kompanitë Gjermane në Sektorin e Turizmit dhe Trajnimeve në Shqipëri”, organizuar nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), e mbështetur nga Ministria Federale Gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë.
Në fjalën përshëndetëse, znj. Çela ndau vizionin e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, duke theksuar investimet strategjike në infrastrukturë, digjitalizim dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Po ashtu, Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerë si Gjermania për forcimin promovimit turizmit dhe mikpritjes.
‘Brenda një dekade, vendi ynë është shndërruar nga një destinacion i panjohur në një nga tregjet më të kërkuara të turizmit në Evropë. Fokusi ynë mbetet promovimi dhe ndërtimi i një turizmi të qëndrueshëm, gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës, që sjell zhvillim për komunitetet lokale dhe përvoja autentike për çdo vizitor’, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencsë Kombëtare të Turizmit.
Ky aktivitet i realizuar në bashkëpunim me SBS Systems for Business Solutions, mirëpreti në Shqipëri një delegacion me kompani gjermane që veprojnë në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional në turizëm dhe hoteleri, një hap i rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja dhe shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve.
Ndiqni fjalën e plotë në video.








