Xhamia Mbret ndodhet në kompleksin e Qendrës Mesjetare. Ajo është ndërtuar nga sulltan Bajaziti i II rreth 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla e lutjeve dhe nga portiku. Të tria faqet kanë nga gjashtë dritare, që krijojnë një ndriçim të bollshëm. Mafili i gjerë me dy kate dhe këto kolona që lidhen me njëra-tjetrën me harqe të shtrira dekorative, përcaktojnë dhe for- mulimin e brendësisë dhe strukturën dekorative të tavanit.
Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur. Ai është pak më i gjerë se balli i sallës së lutjeve. Secila pjesë ka tavanin e vet me gdhendje artistike në dru. Në qendër të tavaneve ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme Kuranore. Mbi muret anësore, në formën e bazamentit, portiku qarkohet nga të tria anët me arkada mbi kolona guri në pjesën qendrore dhe me pilastra muri te këndet. Në brendësi të portikut, në murin verior të xhamisë, është krijuar një mihrab i dytë për besimtarët, që janë në portik. Një friz poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të Zotit.
Xhamia Mbret nuk është vetëm vend i adhurimit, por edhe atraksion kulturor dhe historik. Vizitorët mund të shohin mjeshtërinë e artizanatit tradicional shqiptar, ndikimet osmane dhe të ndiejnë atmosferën autentike të qytetit të lashtë të Beratit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sot, kjo xhami mbetet një vend ku historia, arti dhe komuniteti bashkohen, duke ofruar një përvojë të pasur kulturore për çdo vizitor.