Nga pikëpamja e relievit, Rruzhdia është zona më e lartë me një varg kodrash që arrijnë në 500 m të larta. Hidrografia përfaqësohet nga: liqeni i Rruzhdies, Gjinoqarë dhe përroi i Gjinoqarës që derdhet në lumin Gjanicë. Terreni i larmishëm
dhe klima favorizuese kanë orientuar zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Nga pikëpamja etnografike, fshatrat i përkasin krahinës së Mallakastrës. Zona vazhdon të ruajë me fanatizëm zakonet, traditën e mikpritjes dhe patriotizmin. Besimi fetar kryesor është Bektashizmi. Fshati Kasnicë njihet si vendburimi
i parë i naftës në zonën e Patosit (Korrik 1926).
Megjithëse një zonë e thellë kodrinore, Rruzhdia të befason me peisazhin piktoresk, vlerat, traditat dhe monumentet e kulturës. Në fshatin Gjinoqarë gjenden shumë varre ilire si dhe tri burime uji mbi 200 – vjeçare të ndërtuara me gur, përkatësisht me emrat: burimi i kishës së Vironit (ndodhet pranë “Rrapit të Zhugrit”), “Dervishaj, “Kasaj” (kjo e fundit rikonstruktuar në vitin 2012).
Liqeni i Ruzhdies u ndërtua në vitet ‘70 të shekullit të kaluar për ujitjen e tokave pjellore, që shtrihen buzë lumit Gjanicë. Ai shfrytëzohet gjithashtu për mbarështrimin e rasateve të ndryshëm të peshkut. Ai është një vlerë e shtuar edhe për ndikimin që ka në jetën e banorëve, por edhe në natyrën mbresëlënëse të Ruzhdies.
Për t’i nxjerrë në pah vlerat natyrore të kësaj zone, traditat dhe kulinarinë, Bashkia Patos organizon këtu, çdo 20 Tetor, festën lokale “Sofra Bujare” Patos. Kjo festë ka në fokus festimin dhe promovimin e kulturës, traditës, etnografisë,
kulinarisë, artizanatit, natyrës së bukur dhe të begatë në kulturat e ullirit dhe vreshtarisë.