Bazilika Paleokristiane e Linit – Një Thesar Antik në Zemër të Natyrës
Në majën piktoreske të kodrës së Shën Thanasit, në gadishullin e Linit (20 km në veri të Pogradecit), ndodhen rrënojat e një prej monumenteve më të veçanta arkeologjike në Shqipëri – Bazilika Paleokristiane e Linit, e ndërtuar në shekullin VI pas Krishtit si rezidencë verore e peshkopëve të Lyhnidit (Ohrit të sotëm).
Kjo bazilikë përbëhet nga 7 ambiente të zbukuruara me mozaikë të jashtëzakonshëm, ku spikasin motive të rralla si bletët, “euharistia” (zogj që çukisin rrushin), skena nga natyra, si dhe figura gjeometrike me ngjyra të pasura si e bardha, kuqja, jeshilja dhe portokallia. Mozaikët janë realizuar me mjeshtëri të lartë nga tesera të vogla gëlqerore, mermeri, tulle dhe brumi qelqi.
Për nga ndërtimi dhe stili, bazilika është e ngjashme me atë të Shën Erazmit në Ohër dhe me Baptisterin e Butrintit, duke dëshmuar për rëndësinë e saj arkitekturore dhe historike. Fatkeqësisht, ajo u dogj gjatë pushtimit bullgar në shek. X-XI dhe nuk u rindërtua më. Vizita në bazilikë është një përvojë unike – përveç vlerës historike dhe artistike, ofron një pamje mahnitëse mbi Liqenin e Ohrit. Udhëtimi nga Pogradeci zgjat rreth 20 minuta.
Deri në qendër të fshatit Lin mund të shkohet me autobus ose makinë, ndërsa pjesa e fundit për të arritur te rrënojat rekomandohet të përshkohet në këmbë (rreth 10 minuta në natyrë).
Një destinacion ideal për të apasionuarit pas historisë, arkeologjisë dhe natyrës!