Kalaja e Margëlliçit ndodhet në majën e një kurrizi kodrinor në lartësinë 321m në fshatin me të njëjtin emër, pranë qytetit të Patosit. Rrënojat e kalasë në vitin 1948 janë shpallur monument kulture. Zbulimet arkeologjike të zhvilluara gjatë shekullit të kaluar kanë evidentuar se Margëlliçi u formua si qendër e fortifikuar në periudhën e vonë të bronzit. Ajo bënte pjesë në sistemin mbrojtës satelit të qytetit antik Bylis. Qyteti i dikurshëm antik, emri i të cilit ka mbetur akoma pa u identifikuar, shërbente për të kontrolluar hyrjen nga fusha e Myzeqesë për në luginën e lumit Argias (Gjanica).
Kodra e Margëlliçit plotësonte të gjitha kushtet për një vendbanim porto urban të fortifikuar. Muri i këtij objekti përafrohet me imazhin e një katërkëndëshi në faqen e takimit me blloqe guri. Në këtë vendbanim ilir, krahas enëve të përdorura të kohës, janë gjetur edhe stoli, armë, vegla pune etj. Një nga veprat më me vlerë të nxjerra nga rrënojat e kalasë është Terrakota e Afërditës, e gjetur gjatë gërmimit të një banese.
Monedhat e gjetura në rrënojat e kalasë dëshmojnë qartë rëndësinë e saj si qendër prodhimi e këmbimi. Banorët zhvillonin tregti me Apoloninë, Dyrrahun, Bylisin, Argosin, Ambrakinë dhe me Maqedoninë. Mendohet se qyteti ilir në Margëlliç u braktis diku gjatë periudhës së mesjetës së hershme dhe vijoi jetën si një vendbanim rural.
Ky objekt është miratuar si monument kulture në vitin 1948, nga Ministria e Kulturës. Aktualisht, kalaja nuk ka akses të gjerë si e mirë publike, por është një nga vlerat e padiskutuara historike e kulturore që nuk duhet lënë pa vizituar.