Çisterna e Ujit

E njohur nga vendasit si “Sarandja”, Çisterna e Ujit përfaqëson një nga strukturat më të rëndësishme të infrastrukturës së brendshme në Akripolin e Kalasë së Beratit. E ndërtuar rreth shekullit XII, kjo cisternë ka shërbyer për mbledhjen dhe ruajtjen e ujërave të shiut, duke garantuar furnizimin me ujë të banorëve dhe garnizonit në raste rrethimi apo mungese burimesh të jashtme.

E vendosur në pikën më të lartë të kalasë, në zemër të akropolit, ndërtimi i saj shfrytëzon në mënyrë inteligjente pjerrësinë e kodrës për të mbledhur dhe grumbulluar ujin. Edhe pse sot janë ruajtur vetëm rrënojat, përmasat e strukturës dhe gjerësia e hapësirës së brendshme

dëshmojnë për një kapacitet të konsiderueshëm depozitimi dhe për aftësitë inxhinierike të kohës.

Çisterna është ndërtuar me gurë të mëdhenj të latuar, të lidhur me llaç gëlqeror dhe përforcuar me harqe të mbuluara, në funksion të qëndrueshmërisë dhe ruajtjes së lagështirës. Forma gjysmë e nëndheshme dhe teknikat e ndërtimit kanë mundësuar ruajtjen e temperaturës së ulët dhe mbrojtjen e ujit nga avullimi apo ndotja.

Pavarësisht gjendjes aktuale të fragmentuar, “Sarandja” mbetet një dëshmi e çmuar e infrastrukturës civile dhe mbrojtëse së qyteteve mesjetare shqiptare, dhe një ndër ndalesat më domethënëse për vizitorët që eksplorojnë kalanë historike të Beratit

Facebook
LinkedIn
Email
X