Shqipëria prezantoi ofertën e saj turistike në panairin “Albania Fair Tourism”, një ngjarje e rëndësishme për promovimin e destinacioneve kryesore, pasurisë kulturore e historike, si dhe potencialit për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit.
Agjencia Kombëtare e Turizmit, së bashku me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ishin mbështetja kryesore e Tourism Fair Albania, që u mbajt nga data 11 deri në 12 shkurt 2026!
AKT promovoi destinacionet e mrekullueshme turistike të Shqipërisë, ndërsa organizoi panele diskutimi që frymëzuan ide të reja për turizmin e qëndrueshëm.
Stenda “AlbaniaAllSenses” në Pallatin e Kongreseve u kthye në një pikë të rëndësishme takimi për aktorët e industrisë, duke ofruar informacion të detajuar mbi destinacionet, paketat turistike dhe mundësitë e bashkëpunimit.
Stenda ishte e konceptuar si një kub digjital që përfaqëson Shqipërinë në 4 stinë, duke bashkuar teknologjinë, inovacionin dhe traditën, dhe duke ofruar një përvojë të plotë për vizitorët.
Profesionistë të sektorit, partnerë dhe vizitorë patën mundësinë të njiheshin nga afër me eksperiencat që ofron vendi ynë gjatë gjithë vitit.
Për dy ditë me radhë, panairi mblodhi 145 subjekte nga Shqipëria dhe rajoni, duke u shndërruar në një ekspoze të gjerë të ofertës turistike për publikun dhe profesionistët e fushës. Në kuadër të forcimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare, u zhvilluan 813 takime B2B me blerës nga 18 vende të botës, duke krijuar mundësi të reja partneritetesh dhe duke rritur interesin për tregun shqiptar.
Kërkesa në rritje nga blerësit ndërkombëtarë konfirmoi edhe njëherë Shqipërinë si një destinacion në zhvillim, me potencial të jashtëzakonshëm natyror, kulturor dhe turistik.















