Manastiri i Shën Mërisë në Goranxi

Manastiri i Shën Mërisë apo “Manastiri i Ravenës” siç e quajnë vendasit, ndodhet në fshatin Goranxi dhe përbën një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe kulturore të Bashkisë së Dropullit. Ky objekt fetar ka shërbyer ndër shekuj si qendër besimi për banorët vendas, por edhe si vend pelegrinazhi për besimtarë nga zona përreth. I ndërtuar në një mjedis të qetë dhe natyror, manastiri krijon një harmoni të veçantë mes arkitekturës dhe peisazhit.

Kisha është ndërtuar në vitin 1600 prej hieromonakut Kristofor. Këtë e vërteton një mbishkrim i gdhendur në gur mbi portën perëndimore brenda narteksit: “Mbretëreshë e të gjithë profetëve, e quajtur fidanë e Joakimit dhe Anës shterpë, që u bëre e denjë të dëgjoje zërin e engjëllit që thoshte: gëzohu ti o e gëzuar prej gjithpushtetësit, vajzë, virgjëreshë dhe nënë, prano lutjen prej meje shërbëtorit tënd jeromonak Kristoforit, që ndërtoi tempullin tënd me dëshirë, viti i lindjes të Krishtit 1600”.

Manastiri ka vlera të spikatura historike dhe shpirtërore, duke dëshmuar vazhdimësinë e besimit dhe traditës ortodokse në këtë trevë. Sot, Manastiri i Shën Mërisë në Goranxi mbetet një pasuri e çmuar kulturore dhe një dëshmi e gjallë e trashëgimisë fetare të zonës.

Facebook
LinkedIn
Email
X