Tuma e Patosit ndodhet në fshatin Rrerës të qytetit të Patosit.
Gjurmët më të vjetra të veprimtarisë njerëzore i gjejmë në Tumën e Patosit. Ajo u zbulua në vitin 1976 në krahun e majtë të rrugës automobilistike Fier-Ballsh, përgjatë luginës së mesme të lumit Gjanica. E ndërtuar me dhe prej shtresash, si humusi, argjili, shtufi dhe rëre, në këtë tumë u gjendën 76 varre, 62 nga të cilët i përkisnin periudhave të bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm dhe 14 të tjerë që i takonin mesjetës së hershme. Kjo tumë është përdorur për varrime gjatë një periudhe që përfshinte fundin e epokës së bronxit dhe fazën e parë të epokës së hekurit (shek.VII p.K). Janë zbuluar 76 varre, nga të cilët
62 i takojnë periudhës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm, ndërsa 14 i takojnë shekujve të parë para Krishtit dhe mesjetës së hershme.
Në këtë kodër-varr janë përdorur dy rite varrimi, me vendosje trupi dhe djegie kufome, ndërsa nga pikëpamja ndërtimore varret janë disa tipe si: ata me gropë të thjeshtë, me vapem dhe argjilë dhe të ndërtuara me gurë. Në to arkeologët gjetën një sërë objektesh qeramike (enë të tipit të ndryshëm dhe tjegulla), gjilpëra, sumbulla, tuba, peta, fibula, rrathë, spirale, pincetë, kamë, thika apo diadema bronzi, gjilpëra dhe hanxharë hekuri, rruaza qelibari, që i përkasin kulturës së fisit ilir të bylinëve.
Tuma e Patosit dëshmon se territori rreth Apolonisë ka qenë banuar dhe ka njohur një nivel të lartë zhvillimi para ardhjes së kolonëve në këtë qytet, dëshmi e një qytetërimi të herdhëm.