Butrint

Butrinti ndodhet në jug të Shqipërisë, pranë qytetit të Sarandës dhe vetëm pak kilometra larg ngushticës së Korfuzit. I vendosur në një peisazh unik natyror, midis liqenit të Butrintit dhe kanalit të Vivarit, ai është një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit të Mesdheut. Parku përfshin një territor të gjerë që shtrihet nga fshati Berdenesh në veri deri në kepin e Stillos në jug, duke përfshirë edhe ishujt e Ksamilit.

Në zemër të parkut gjendet qyteti antik i Butrintit, një mikrobotë e historisë së Mesdheut, ku ndërthuren rrënjë greke, romake, bizantine dhe veneciane. Monumente si teatri, bazilika, banjat romake, tempulli i Minervës, porta monumentale dhe muret rrethuese dëshmojnë për zhvillimin e vazhdueshëm të qytetit gjatë shekujve. Shumë objekte të zbuluara nga gërmimet, përfshirë statuja, portrete, epigrafe dhe objekte të kultit, pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe artistike të vendbanimit.

Parku është një destinacion i vizituar gjatë gjithë vitit nga turistë vendas dhe të huaj, si dhe nga studiues të arkeologjisë dhe historisë. Veç vlerave arkeologjike, Butrinti ofron një natyrë të pasur me biodiversitet dhe peizazhe të rralla, duke e bërë atë një nga pikat më tërheqëse të turizmit kulturor dhe natyror në Shqipëri. Në vitin 1992, Butrinti u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe në vitin 2000 u shpall Park Kombëtar, me një sipërfaqe prej 29 km², për të mbrojtur si trashëgiminë kulturore ashtu edhe atë mjedisore.

Facebook
LinkedIn
Email
X