Ura e Vajzës (Ura e Vashës)

Ura e Vashës, një xhevahir i rrallë që pak e dinë se ku ndodhet!

“Ura e Vashës” ndodhet midis fshatrave Klos dhe Guri i Bardhë. Ajo lidh dy brigjet e lumit Mat dhe ka qenë mjeti i vetëm i komunikimit në rrjedhën e sipërme të lumit Mat. Ura është me hark dhe në anën e djathtë të përroit ka një dritare shkarkimi. Këmbët e saj janë të vendosura në malin Vërrith dhe malin Dish.

Është 11 m e gjatë, hapësira e dritës midis dy këmbëve është 7 m dhe lartësia e harkut nga pasqyra e ujit është 7 m. Gjerësia e trasesë së urës është 2.8 m dhe është e shtruar me gurë dhe pllaka. Harku i saj është gjysmërrethor dhe është bërë nga gur gëlqeror i latuar dhe i katrorizuar dhe me hark të dyfishtë. Të dyja anët e qemerëve janë të përforcuara me grepa hekuri.

Ura e Vashës vizitohet nga shumë turistë shqiptarë dhe të huaj, madje një tabelë e vogël që thotë “Ura e Vashës” është vendosur nga turistët çekë. Bukuritë natyrore dhe vlerat historike të kësaj zone janë plotësisht të panjohura për shumë shqiptarë, jo më për të huajt. Por me ndërtimin e rrugës së Arbrit, pritet të shtohen turistët. Përgjatë kësaj rruge ka shtëpi karakteristike prej guri, me dritare të vogla të quajtura frëngji.

Familja e Ali Sinës është e vetmja familje që jeton në fund të dy shpateve, një familje punëtore që mirëmban rrugën, të cilën e ka hapur vetë, dhe Urën e Vashës.

Legjenda thotë se e ka marrë emrin nga një familje nga fisi Skuraj, që jetonte në Gur të Bardhë, e cila kishte vetëm një vajzë, e cila nuk u martua sepse nuk mund të kalonte lumin. Një ditë vajza vendosi ta ndërtonte urën me të ardhurat e saj.

Facebook
LinkedIn
Email
X