Katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”

Katedralja “Fjetja e Shën Mërisë” ndodhet në qendër të Kalasë së Beratit dhe përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe artistike të qytetit. E ndërtuar në vitin 1797, mbi rrënojat e një kishe më të hershme, kjo katedrale ka qenë qendra e jetës shpirtërore për komunitetin ortodoks të kalasë për më shumë se një shekull.

Struktura arkitektonike e saj përfshin një naos me tipologji bazilikale, të pajisur me dy kupola, një narteks (pritore) në hyrje dhe një hajat (portik) që e rrethon pjesërisht nga jashtë. Mbishkrimi monumental mbi hyrjen kryesore dëshmon vitin e ndërtimit dhe përbën një dëshmi autentike të historikut të saj ndërtimor.

Brendësia e katedrales është zbukuruar me afreske murale të realizuara nga atelieri i Çetirëve, një nga familjet më të njohura të ikonografisë shqiptare, në vitin 1860. Veprat e tyre artistike ndjekin traditën ikonografike pas bizantine dhe paraqesin një mori figurash të shenjta dhe skenash biblike me vlera teologjike dhe estetike.

Objektet liturgjike të kishës përfshijnë një ikonostas monumental prej druri të gdhendur, një amvon të ngritur për leximet kishtare dhe një fron peshkopal, të gjitha të realizuara me një mjeshtëri të rrallë që pasqyron artin kishtar shqiptar të shekujve XVIII–XIX.

Në vitin 1986, godina u transformua në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, i cili mban emrin e mjeshtrit të madh të shekullit XVI, Onufrit, dhe ruan një koleksion të pasur prej mbi 170 ikonash dhe objekte liturgjike, të realizuara nga autorë të ndryshëm përfshirë edhe birin e Onufrit, Nikollën, David Selenicën, Kostandin Shpatarakun dhe anëtarët e familjes Çetiri.

Sot, Katedralja “Fjetja e Shën Mërisë” nuk është vetëm një objekt i kultit të shenjtëruar në historinë fetare të Beratit, por edhe një qendër muzeale e rëndësisë kombëtare, që ofron një udhëtim të rrallë kulturor dhe artistik përmes ikonografisë dhe trashëgimisë pasbizantine shqiptare.

Facebook
LinkedIn
Email
X