Lagjja “Goricë”, një nga tre lagjet historike të qytetit të Beratit, është e vendosur në kodrën përballë Kalasë, në anën e majtë të lumit Osum. Ajo përfaqëson një qendër të hershme banimi të komunitetit ortodoks, dhe ka qenë historikisht e lidhur me pjesën tjetër të qytetit përmes urës së Goricës, një monument i trashëgimisë kulturore të shekullit XVIII.
Struktura urbane e lagjes karakterizohet nga një shtrirje vertikale: në brezin e sipërm gjenden banesa të vogla e të ngjeshura, të ndërtuara me gurë dhe çati me tjegulla tradicionale, ndërsa
në brezin e poshtëm, afër brigjeve të Osumit, shfaqen shtëpitë më të mëdha, me çardakë të zbukuruar, të cilat i përkisnin shtresave të pasura tregtare e qytetare të shekullit XVIII.
Pas tërmetit të vitit 1851, shumë prej shtëpive u rindërtuan ose restauruan, gjë që pasqyrohet në stilin arkitektonik aktual, duke ndërthurur elemente të periudhës së hershme otomane me ndërhyrje të mëvonshme. Shtëpitë dykatëshe dhe trekatshe të Goricës përbëjnë një ansambël arkitektonik unik, ku dallohen dritaret e vogla, muret e trasha prej guri dhe fasadat e suvatuara në ngjyra të lehta.
Në qendër të lagjes ndodhet Kisha e Shën Spiridhonit, një faltore me vlera të larta historike e shpirtërore, e rindërtuar në vitin 1864 dhe e njohur për rolin e saj si qendra e parë ku u mbajt meshë publike pas ndalimit të besimit gjatë komunizmit në Shqipëri.
Lagjja Goricë, e shpallur zonë muzeale, përfaqëson një bashkëjetesë harmonike të trashëgimisë ortodokse, arkitekturës qytetare dhe peisazhit natyror të Beratit. Me rrugicat e saj karakteristike me kalldrëm, shtëpitë e ruajtura dhe pamjen përballë Kalasë, ajo ofron një përjetim ndryshe të historisë urbane dhe shpirtërore të qytetit.