Qendra Mesjetare në pjesën e poshtme të Beratit është një nga komplekset më të rëndësishme të trashëgimisë osmane, me funksione sociale dhe fetare. Ajo përfshin Xhaminë Mbret, Teqenë e Helvetive, Teqenë e Shën Qerimit, konakët e dervishëve dhe disa varre monumentale, me origjinë që daton nga gjysma e dytë e shek. XV. Kompleksi mori formën e tij më të plotë në shek. XVIII pas rindërtimeve të shumta. Gjatë Luftërave Botërore, shkolla dhe biblioteka u shkatërruan, ndërsa sot ruhen ende objektet kryesore si xhamia, teqet dhe konakët.