Nën moton “Le të vrapojmë së bashku pranë liqenit të Pogradecit, të shijojmë historinë dhe bukuritë natyrore të këtij qyteti”, zhvillohet Maratona “Enkelana”, një ngjarje sportive që promovon turizmin, trashëgiminë dhe natyrën unike të Pogradecit.
Gjysmëmaratona (21.097 km) nis nga fshati historik Lin dhe përfundon në qytetin e Pogradecit, përgjatë një rruge të re që shtrihet pranë brigjeve të liqenit. Minimaratona (11.5 km) fillon në qendrën e qytetit, kalon në Tushemisht dhe kthehet sërish në Pogradec.
Pjesëmarrës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës përjetojnë një eksperiencë unike: vrap mes natyrës së gjelbër dhe freskisë së liqenit. Ky aktivitet është më shumë se një garë – është një festë sportive dhe kulturore që ndërthur natyrën me historinë e qytetit të lashtë të Pogradecit. Në përfundim të eventin fituesit e maratonës vlerësohen me çmimet përkatëse.