Pogradeci kremton çdo vit Ditën e Liqenit, më 21 Qershor, me një sërë aktivitetesh të larmishme që mbledhin qytetarë, turistë dhe përfaqësues nga qytetet fqinje që ndajnë bregun e të njëjtit liqen. Gjatë kësaj dite, Bashkia Pogradec organizon aktivitete të ndryshme si ekspozita, piktura në natyrë, panaire artizanale, koncerte muzikore dhe stenda informuese që krijojnë impakt pozitiv për qytetin dhe vizitorët.
Një pjesë e rëndësishme e këtij organizimi është edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Komuna e Strugës dhe Komuna e Ohrit, të cilët së bashku me kryetarin e Bashkisë Pogradec, angazhohen në promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbrojtjes së përbashkët të Liqenit të Ohrit. Dita e Liqenit ka në fokus rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e liqenit dhe biodiversitetit të tij, si dhe nxitjen e projekteve të përbashkëta në turizëm, kulturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, me qëllim krijimin e një oferte të përbashkët turistike për tre qytetet që rrethojnë këtë pasuri natyrore. Liqeni i Ohrit është pasuri e përbashkët, dhe që nga data 5 Korrik 2019 është shpallur Pasuri Botërore e UNESCO-s.