Vendbanimi palafit i Boqezës

Vendbanimi i Boqezës hyn në tipin e vendbanimeve lakustre (ujore). Ai ka një sipërfaqe prej rreth 6 ha dhe përbëhej prej një numri shumë të madh trarësh druri të cilët nguleshin vertikalisht në tabanin e tokës mbi të cilat mbështetej një platformë horizontale druri ku ngriheshin më pas banesat.

Ky vendbanim ishte i rrethuar nga një gardh druri i cili e mbronte prej rreziqeve të jashtme. Kërkimet tregojnë se llojet kryesore të druve të përdorur si pilota mbështetëse ishin ato të familjes së lisit, pishës dhe panjës të cilët janë shumë rezistente ndaj ujit.Veglat e punës prej guri dhe stralli, enët e baltës, armët, gurët e peshave për rrjetat e peshkimit si edhe objekte të tjera të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike, dëshmojnë se popullsia e këtushme merrej me bujqësi, blegtori, peshkim dhe gjuetinë e kafshëve të egra.Mendohet që numri i banorëve që jetonin në këtë vendbanim gjatë periudhës së Neolitit të hershëm, varjonte nga 200 deri në 500 persona.

Ata ishin pjesë e një komuniteti (bashkësie) të organizuar të cilët bashkëpunonin ngushtësisht me njëri-tjetrin për të siguruar mbarëvajtjen e vendbanimit, organizuar jetën e përditshme si edhe për të mbrojtur anëtarët e bashkësisë nga sëmundjet, fatkeqësitë natyrore apo sulmet e jashtme nga kafshët e egra apo komunitete të tjera.

Datimi i vendbanimit, i kryer me metodën e karbonit 14 (C14), ka konfirmuar se, bazuar në dijet e deritanishme, vendbanimi palafit i Boqezës është vendbanimi më i vjetër bregliqenor i zbuluar deri më sot në Europë (8200 vjet më parë).Vendbanimi është pjesë e Sitit të Trashëgimisë Botërore mbrojtur nga UNESCO, të Rajonit të Liqenit të Ohrit.

Facebook
LinkedIn
Email
X